Përfaqësia për Shqipërinë e Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Turqia (MUSIAD Albania) , me kryetar Muhammet Isler, ka organizuar në Tiranë aktivitetin me fokus turizmin, me temë “Shqipëria turistike – Destinacion 12-mujor”.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, njoftoi MUSIAD Albania, në fjalën e tij tha se Shqipëria dhe Turqia gëzojnë marrëdhënie shumë të mira dhe të konsoliduara, të cilat sipas tij po reflektohen gjithnjë e më shumë edhe në fushën e turizmit.
Gonxhja ka theksuar se turizmi në Shqipëri është një motor i rëndësishëm zhvillimi ekonomik, një burim punësimi dhe të ardhurash.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve ka kontribuar në rritjen e flukseve turistike, shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e investimeve në sektor, duke forcuar lidhjet mes destinacioneve dhe operatorëve turistikë. Ky bashkëpunim përbën një bazë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit të qëndrueshëm dhe me vlerë të shtuar”, tha ai.
Ai shtoi se vetëm gjatë vitit 2025, Shqipëria ka pritur rreth 12,5 milionë vizitorë të huaj, ndër të cilët 305.259 vizitorë turq,
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, në fjalën e tij tha se mendon se aktiviteti do të ofrojë mundësi të shkëlqyera për të parë më nga afër sektorin e turizmit shqiptar, për të paraqitur avantazhet dhe fushat e tij për zhvillim të mëtejshëm, si dhe për të dhënë njohuri të çmuara për investitorët turq.
Ai shtoi se sektori i turizmit ka një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe se Qeveria e Shqipërisë ofron stimuj të përshtatur për investimet në turizëm.
“Turqia ka një sektor të fuqishëm turizmi. Të gjitha krizat krijuan një sektor të fortë, të strukturuar mirë dhe të menaxhuar profesionalisht nga subjektet private, institucionet qeveritare dhe organizatat joqeveritare. Të gjitha këto funksionojnë në një harmoni të shkëlqyer duke e bërë Turqinë një nga destinacionet kryesore në botë”, tha Atay
Kryetari i MUSIAD Albania, Muhammet Isler, theksoi se po veprojnë jo vetëm duke menduar të sotmen, por sipas tij edhe duke menduar arkitekturën ekonomike të së nesërmes. Isler tha se suksesi i Turqisë në turizëm është inspirues dhe shtoi se Shqipëria është një nga destinacionet më të shkëlqyera të turizmit në Mesdhe.
Pas fjalëve përshëndetëse u mbajt paneli i diskutimit me temë “Si ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion 12-mujor”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe të bizneseve.
Sipas MÜSİAD Albania, aktiviteti kishte si qëllim krijimin e një platforme dialogu ndërmjet institucioneve publike, përfaqësuesve të sektorit privat, investitorëve dhe profesionistëve të industrisë së turizmit.
Gjithashtu thuhet s aktiviteti synon të nxisë diskutimin strategjik mbi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri dhe mbi mundësitë konkrete për ta shndërruar vendin në një destinacion funksional gjatë gjithë vitit.



