Pse Edi Rama po ndryshon Kodin e Procedurës për Imunitetin? – ANALIZA politike

spot_img
Advertisements

nga Indrit Vokshi

Së pari:

Sepse mundet! Ka 83+3 vota. Nëse opozita do të kishte mbajtur rezultatin e 2021 me 63 mandate, Edi Rama sdo t’i kishte 3/5-tat dhe nuk do të mundej ta ndryshonte Kodin.

Meqenëse opozitarët shqiptarë kishin më të rëndësishëm ri-instalimin e Sali Berishës sesa rezultatin dhe, kësisoji, gjykuan se më mirë 50 mandate por me Sali Berishën në krye, sesa 63 mandate por pa Sali Berishën, ata lanë republikën zbuluar, pa mbrojtje e pa sistem imunitar përballë orekseve të Edi Ramës.

Zgjedhja e tyre. Mirëpo prej zgjedhjes së tyre, po ndodh kjo çfarë po ndodh.

Sistemet politike janë ndërtuar mbi “sistem imunitar”. Shqipëria ka “kushtetutë të ngurrtë” (kështu e klasifikon doktrina kushtetuese), ka kushtetutë me tri nivele votimi; shumicë 50+1, shumicë 3/5-tat dhe shumicë 2/3-tat. Ky lloj shkallëzimi është konceptuar kështu që asnjë mazhorancë të mos mundet e vetme të ndryshojë ligjet organike, kodet dhe kushtetutën.

Sa herë është zhbalancuar ky shkallëzim dhe është dëmtuar “sistemi imunitar” i shtetit, kjo ka ndodhur kur në opozitë ka qenë Sali Berisha. Edhe në 1997, edhe në 2001, edhe në 2013, edhe në 2025. Përballë Sali Berishës, socialistët kanë marrë mazhorancë të dhunshme. E vetmja herë kur nuk e kanë marrë mazhorancën 3/5 të vetëm, ka qenë viti 2021.

Së dyti:

Nuk ka një standard të unifikuar të BE-së për imunitetin e ministrave. Ka një standard për Komisionerët e BE-së; Neni 247 i Aktit për Funksionimin e BE, sanksionin se komisioneri (ministri) shkarkohet nga Gjykata por me propozim të Komisionit ose Këshillit. Ndërsa shtetet nacionale anëtare të BE-së, nuk kanë standard të unifikuar mbi imunitetin.

Së treti:

Oreksi dhe nevoja për të qenë më i mbrojtur përballë veprimtarisë së SPAK-GJKKO. Edi Rama nuk po e shkel ligjin por po e ndryshon ligjin, duke i garantuar vetes stabilitet qeverisës. Në një aspekt ka të drejtë ta ndryshojë ligjin sepse ka pushtet parlamentar legjitim.

Mirëpo ka diçka: Nëse nga njëra anë u jep më shumë garanci titullarëve të shtetit duke mos lejuar pezullimin e tyre në detyrë në mënyrë të papritur, Edi Rama duhet që kërkesat e prokurori-gjykatë të mos i pengojë pa arsye në Këshillin e Mandateve. Nëse edhe në Këshillin e Mandateve nuk dëshmon vullnet për hetim, këtu ndryshimi i Kodit të Procedurës nuk quhet më ndryshim për të qartësuar ndarjen dhe balancimin e pushteteve të cilën nuk e qartësoi siç duhet Gjykata Kushtetuese por, quhet masë për tu mbrojtur nga drejtësia.

Kjo mandej do të quhej bukosje dhe kalficikim dhe do ta dëmtonte në mënyrë shkatërrimtare PS-në në pikën ku “krenohet” më shumë; si mbështetëse e Reformës në Drejtësi.

Sepse në Shqipëri askush nuk duhet të ketë imunitet nga gjykimi. Është krejt e arsyeshme që pushtetet të funksionojnë mbi kontroll e balancë dhe asnjëri pushtet të mos dhunojë tjetrin. Mirëpo nëse i vendos barrierë prokurorisë dhe gjykatës, kjo quhet cënim i pushtetit gjyqësor, sepse duke mos lejuar hetim-gjykim, prek detyrën kushtetuese të prokurorisë dhe gjykatës.

Gjithsesi, opozita tanimë ka një detyrë: T’i ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Ska asnjë mekanizëm tjetër për ta ndaluar ose korrektuar. Nëse edhe GJK ia legjitimon, ia pafshin hajrin sepse vetë e lejuan të shkojë deri këtu. Dhe ia pafshim hajrin të gjithë si republikë.

spot_img

Latest articles

Related articles