Nga Fitim ZEKTHI
James Burnham, një filozof mjaft i njohur i shekullit të kaluar dhe një kundërshtar i egër i totalitarizmave, është i famshëm edhe për ato që njihen si ligjet e Burnham-it. Ato janë dhjetë gjithsej dhe dallohen për thjeshtësinë ekstreme me të cilën shprehin disa të vërteta të mëdha. Ligji i dytë, për shembull, thotë se “kush thotë A duhet të thotë B”; ligji i katërt thotë se “nuk mund të investosh në të shkuarën”; ligji i pestë thotë se “atje ku ka prohibicion, gjendet një kontrabandist alkooli”, etj.
Ligji më i spikatur dhe që është përdorur gjerësisht nga sociologët, psikologët dhe politologët, duket se është i pari, i cili thotë se “gjithkush di gjithçka”.
Sipas vetë Burnham-it, kjo do të thotë se “sekreti më i madh është se nuk ka asnjë sekret”. Ligji nënkupton se askush nuk mund të fshehë për një kohë të gjatë asgjë të keqe mbi veprimet e tij, mbi veten apo mbi natyrën e tij. E gjitha zbulohet shpejt. Njerëzit e marrin vesh, e kuptojnë të vërtetën. Në terma të politikës, thoshte Burnham, ligji nënkupton se gjithkush e kupton se çfarë je duke bërë, pse i bën gjërat dhe cilat janë planet apo strategjitë e tua.
Ky ligj i pamëshirshëm duket se po zbulon këto kohë të gjithë të vërtetën e plotë mbi çfarë përfaqësojnë dhe mbi gjendjen ku ndodhen kryeministri Rama dhe ish-kryeministri Berisha, mbi cilat janë në të vërtetë qëndrimet e tyre për drejtësinë, për raportet me SHBA-në etj. Që prej vitit 2016, kur u miratua reforma në drejtësi, e deri kur u arrestua Erion Veliaj në shkurt të vitit të kaluar, kryeministri Rama shprehej se e përkrahte me forcë Reformën në Drejtësi, se ai ishte përpjekur vazhdimisht për të, se drejtësia ishte një premtim elektoral i tij i vitit 2013, se ai do të bënte gjithçka që vendi të kishte një drejtësi të pavarur që t’i jepte fund një korrupsioni të ngulur thellë në mënyrë sistemike. Ai madje, në fushatën zgjedhore të vitit 2017, kishte nxjerrë njerëz të partisë së tij që të mblidhnin edhe firma në popull për të treguar angazhimin e palëkundur për drejtësinë.
Gjithçka ndryshoi kur u arrestua Veliaj. Ai foli për drejtësi që bën gjyqe pa prova, për drejtësi që ka marrë shpatën dhe po e përdor atë keq. Kërcënoi prokurorët se nuk mund të vinin ta preknin atë apo t’i merrnin telefonin etj. Kur u kërkua arrestimi i zëvendëskryeministres Balluku, Rama doli edhe më hapur. Jo vetëm e shantazhoi drejtësinë, jo vetëm quajti fyese vendimet që mund të merrte drejtësia, por foli haptaz për ndërhyrje në pemën legjislative që rregullon Kodin Penal, atë të Procedurës Penale dhe ligjet që kanë të bëjnë me SPAK-un dhe GJKKO-në.
Më herët kishte ngritur një komision të kryesuar nga deputeti Xhafaj për të ndryshuar, “përmirësuar”, drejtësinë. Komisioni arriti deri te marrëzia e kërkesës për monitorim të SPAK-ut.
Të gjitha këto zhvillime, këto “ndryshime” në qëndrime, bëhen në një kohë kur, në administratën amerikane, që prej vitit të kaluar nuk ka asnjë takim zyrtar me kryeministrin Rama. Zyrtarët e vetëm amerikanë që vijnë nga Washington në Shqipëri zhvillojnë takime vetëm për drejtësinë dhe vetëm me funksionarë që kanë të bëjnë me drejtësinë. Edhe kur takojnë deputetë apo ministra, ata takohen vetëm për çështje të mospengimit të drejtësisë. Edhe në Washington, vizita zyrtare kanë zhvilluar vetëm drejtuesit e SPAK-ut. Vizita e ministres së Jashtme dhe e kryetarit të Parlamentit nuk ishin takime zyrtare.
Qartësisht, marrëdhëniet e Ramës me qeverinë amerikane janë të këqija. Këtë e di kushdo, këtë kushdo e ka kuptuar. Rama përpiqet ta fshehë me takimet me Ivanka Trump ose me nismat për Bordin e Paqes. Duke u përpjekur ta fshehë, ai e zbulon më shumë ngërçin, madje ankthin. Rama njoftoi se do të jetë në Washington për të nënshkruar Bordin e Paqes. Ai tha se tani është e qartë se ata që flisnin se nuk kalon Washingtonin apo se është bojkotuar etj., gënjenin.
Në fakt, në thelb, nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet e Ramës dhe qeverisë së tij me qeverinë amerikane. Rama, me këtë lloj deklarate, tregon tensionin e lartë që ka, tregon një lloj konvulsioni të brendshëm që vjen nga hetimet e SPAK-ut, përkrahja e fortë amerikane për SPAK-un dhe indiferenca amerikane për marrëdhënie që do të tregonin mbështetje për Ramën. Kjo indiferencë është thuajse mospëlqim, bezdi, mërzi.
Siç thotë Burnham, Rama sot është i zbuluar plotësisht. Ai e do “drejtësinë” vetëm kur ajo nuk e prek atë, vetëm kur ajo e ndihmon atë. Në thelb, kjo është një dashuri për padrejtësinë, një urrejtje për drejtësinë. Ai sigurisht po vuan nga fakti që gjërat nuk shkuan kështu siç donte. Rama i ka marrëdhëniet shumë të ftohta me Washingtonin. Administrata thjesht nuk e do. Firmosja e Bordit të Paqes është diçka që nuk do t’i ndryshojë atij asgjë. Në thelb, do të kemi të njëjtin qëndrim amerikan për gjithçka: përkrahje për drejtësinë dhe indiferencë për Ramën.
Firmosja do t’i shërbejë në afat të shkurtër sa për të thënë se “ja, i kam mirë marrëdhëniet me SHBA-në”, gjë që, në fakt, dihet se është ndryshe. Ai, pa dashje, po thotë se është shumë keq me SHBA-në. Firmosja është një iniciativë e Trump për qëllime të tijat politike, komplet jashtë nesh dhe pa asnjë leverdi për ne.
Edhe për PD është e njëjta gjë. Një zbulim i plotë. Të gjithë dinë gjithçka. Të gjithë e dinë që marrëdhëniet e saj me qeverinë amerikane janë njëlloj. Qeveria amerikane thjesht nuk shprehet më me deklarata, por mban një qëndrim komplet të ftohtë. Asnjë zyrtar amerikan, edhe më i vogli në botë, nuk e takon kryetarin Berisha. Statusi non grata është po njëlloj i paprekur dhe, mesa duket, i paprekshëm. Drejtësia shikohet nga PD si një “organizatë kriminale” për sa kohë kryetari Berisha është në gjyq dhe i akuzuar prej saj.
Në këtë pikë PD është më e sinqertë se sa Rama, ndonëse kur ka patur vendime në favor të saj ose kur ka patur vendime që godasin qeverinë përpiqet të thotë se “ka ishuj të pavarur”, çka është një nonsens. Të gjithë e dinë që PD nuk synon të mundë qeverinë, nuk bën asgjë, asnjë lloj reforme që ta mundë qeverinë dhe t’i bëjë njerëzit të afrohen me të. Të gjithë e dinë se PD është në një gjendje vegjetative për shkak të raportit të rëndë me SHBA-në, me ndërkombëtarët dhe me drejtësinë.
Shkurt, është zbuluar gjithçka. Fjalët, narrativat e prodhuara kohë pas kohe tashmë nuk mbulojnë dot asgjë. Edhe njerëzit më të afërt, edhe përkrahësit më të paarsyeshëm të PS dhe PD-së nuk besojnë se Rama apo Berisha kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, nuk besojnë se ata duan drejtësinë, nuk besojnë se kanë ndonjë grimë kapital politik që mund të jetë zgjidhja. Kemi thjesht një ekuilibër të ngrirë në të cilin askush nuk ka forcë të lëvizë më, askush nuk ka forcë ta prishë këtë status quo, sigurisht që ftesa për në Washington te Bordi i Paqes jo.



