Alarmi u dha që përpara ditës së Shën Valentinit. Në Cortina, fshatin olimpik të lojërave dimërore mbaruan prezervativët brenda 3 ditëve. Në farmaci ngrinin supet dhe shpreheshin se “do të marrin furnizime së shpejti”. Autoritetet sqaruan se 10 mijë prezervativë, me logon olimpike avulluan. Në këtë fshat janë strehuar 2800 atletë.
Organizatorët thonë se shumë shpejt do të ketë prezervativë falas për sportistët. Produkte të tjera higjienike dhe kujdesi për lëkurën, duke përfshirë peceta sanitare, furça dhëmbësh e kështu me radhë kishte në dispozicion.
“Sinqerisht, e zbulova këtë mëngjes kur hapa Instagramin dhe u shokova”, – tha patinatori artistik meksikan Donovan Carrillo, i habitur nga shpejtësia me të cilën u përhap lajmi në mediat sociale. Ndërsa skiatorja Mialitiana Clerc u shpreh: “Edhe unë dëgjova për këtë histori në Instagram. Është shumë qesharake, por nuk më trondit aq shumë, sepse e di që shumë njerëz përdorin prezervativë në Lojërat Olimpike.”
Clerc kujtoi përvojën e Lojërave të mëparshme Olimpike Dimërore të Pekinit 2022: “Kishte kuti plot me prezervativë në hyrje të çdo ndërtese dhe mbaronin çdo ditë. Ndoshta dikush do t’i marrë për t’ua dhënë miqve të tij në shtëpi si dhurata.”
Shpërndarja falas e prezervativëve për atletët është një traditë e mirënjohur në Lojërat Olimpike, e lindur për qëllime parandalimi shëndetësor dhe ndërgjegjësimi. Me kalimin e kohës, megjithatë, është bërë edhe një simbol i vogël “pop” i ngjarjes, veçanërisht kur pajisjet mbajnë logon zyrtare të edicionit aktual.



