Përballja mes Interit dhe Juventusit sot në ”San Siro” ishte padyshim kryendeshja e javës në Serinë A, për pozitat në klasifikim, por edhe historinë mes dy skuadrave, që jo rastësisht e ka kthyer atë në “Derbin e Italisë”.
Dhe nuk zhgënjeu, duke dhuruar spektakël, ku nuk mungoi asgjë: autogol, i kuq, shtylla dhe 5 gola. Por në fund fitues dolën zikaltrit milanezë, në një takim që pati edhe tensione.
Zikaltrit erdhën në sfidë si kryesues me objektivin për të thelluar avantazhin që kanë krijuar ndaj ndjekësve.
Ndërsa Juventusi synoi që të kthehet sa më parë te fitoret, për të kërkuar pikë që ta mbajnë në katërshen e parë në renditje, e pse jo, edhe për të rihapur luftën për titullin.
Ndeshja nisi me autogol të juventinit Kambiaso që e korrigjoi duke barazuar në minutën e 26-të të pjesës së parë.
Në minutën e 42-të, Juventusi mbeti me 10 lojtarë, pas kartonit të dytë të verdhë të Kalulut, që krijoi shumë polemika si brenda edhe jashtë fushës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1 me 1.
Pjesa e dytë dhuroi gjithçka, me tre gola të tjerë. Espozito në të 76-ën kaloi Interin në avantazh, por pas shtatë minutash gjithçka u barazpeshua nga Lokateli.
Dhe kur u duk se gjithçka po shkonte drejt paqes, ishte polaku Zielinski që në minutën e 90-të dhuroi trepikëshin për interistët, që vijojnë të kryesojnë për të fituar një tjetër kampionat



