Qeveria ka hedhur në ankand një tjetër hapësirë publike, këtë herë brenda zemrës së sistemit shëndetësor. Bëhet fjalë për rreth 467.48 m² ambient në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i cili është nxjerrë për t’u dhënë me qira, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se pasuritë publike po kthehen gradualisht në territor biznesi.
Sipas dokumenteve zyrtare, hapësira është klasifikuar si pasuri “gërmadhë” në bazë të një vendimi qeveritar të vitit 2014, një formulim që në praktikë hap rrugën për dhënien e saj me qira me kosto relativisht të ulët.
Ankandi është shpallur nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit më 2 shkurt 2026 dhe parashikon dhënien e ambientit për një periudhë 10-vjeçare, me një çmim qiraje rreth 63 mijë lekë në muaj, ose vetëm 136 lekë për metër katror.
Por ajo që ngre më shumë polemika është forma e kontratës. Bëhet fjalë për enfiteozë, një mekanizëm që jo vetëm lejon përdorimin afatgjatë të pronës nga privati, por i jep edhe të drejtën për ta regjistruar atë në Kadastër në emrin e tij për 10 vite. Për më tepër, kontrata mund të rinovohet edhe për një dekadë tjetër, ndërsa sipas vendimit të qeverisë, nëse investimi i deklaruar arrin dyfishin e vlerës së objektit, subjekti përfitues mund të kërkojë kalimin e pronës në emrin e tij. Me pak fjalë, ajo që sot konsiderohet pronë e sistemit publik shëndetësor, nesër mund të përfundojë përfundimisht në duar private.
Sipas informacioneve paraprake, ambienti dyshohet se do të transformohet në bar-kafe-restorant, një zhvillim që ngre pyetje serioze mbi prioritetet e menaxhimit të hapësirave spitalore, në një kohë kur vetë sistemi shëndetësor përballet shpesh me mungesa infrastrukturore dhe shërbimesh për pacientët.
Ky vendim nuk është një rast i izoluar. Në vitet e fundit janë dhënë për përdorim privat një sërë pronash publike, nga hapësirat pranë Pallatit të Kongreseve, stadiumet në disa qytete, rezidencat qeveritare në bregdet, deri te institucione sociale si Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli”. Ndërkohë, më herët është përfolur edhe për një tjetër projekt brenda QSUT-së, ku flitej për dhënien e rreth 1800 m² truall për ndërtimin e një hoteli privat.
Ankandi për hapësirën brenda QSUT pritet të zhvillohet më 12 shkurt 2026, por në prapaskenë qarkullojnë dyshime se fituesi mund të jetë i paracaktuar, një akuzë që shpesh shoqëron procedura të tilla dhe që hedh hije mbi transparencën e procesit.



