Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar ashpër, duke i cilësuar si skandaloze deklaratat e Sali Berishës lidhur me protestën e zhvilluar të martën. Sipas tij, ka një kontradiktë të hapur mes asaj që thuhet publikisht dhe asaj që ndodh në terren.
“Vjen një moshë që besoj se njeriu nuk mundet ta tejkalojë më vetveten. Dhe doktori këtu, për mua, këto janë deklarata skandaloze që ka bërë. Vetë militantët, militantët e urdhëruar prej tij, hedhin zjarr, hedhin molotovë ndaj policëve, dhe ai thotë që qeveria po i vë zjarrin policisë”, tha Bido në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
Deputeti i PS shtoi se Berisha i ishte rikthyer retorikës së përdorur në 21 janarin e vitit 2011. “U kthye dhe filloi të fliste prapë për ato stilolapsat pistoletë, siç doli pas 21 janarit, duke thënë që zjarri ndaj kolegut të Neës24 ishte hedhur nga policia, ndërkohë që ne pamë se kush po e hidhte zjarrin. Filloi të fliste për policët që janë bërë mish për top dhe nuk e kuptoj, kur e kishte vetë në dorë që të mos hidheshin molotovët. Thotë se polici bën detyrën e vet atje. Mjafton që të mos hidhet molotovi dhe nuk ka policë të plagosur. Dhe këto skenat me “Azem, ti je gjallë” i kemi parë edhe në të shkuarën. Shfrytëzimi i dëmtimit të Bledionit, për mua, është i rëndë”, tha Bido



