Ilir Meta, ka reaguar nga qelia në lidhje me protestën e opozitës që mbahet sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Në deklaratën e tij, Meta thekson se Shqipëria ka shënuar rënie me 11 vende në renditjen globale të korrupsionit brenda vetëm një viti, duke akuzuar kryeministrin se, sipas tij, është “garanti dhe mbrojtësi i këtij sistemi të kapur”.
“Rënia me 11 vende në renditjen globale në një vit tregon se burgomania e Kreut të Organizatës nuk mund të ulte korrupsionin, sepse ai është vetë garanti dhe mbrojtësi i gjithë këtij sistemi të kapur”, shprehet Meta.
Sipas tij, statistikat e arrestimeve përdoren vetëm për të fshehur atë që e cilëson si “korrupsion skizofrenik i Organizatës Kriminale” dhe nuk përbëjnë tregues real të suksesit në luftën kundër korrupsionit.
Meta thekson se korrupsioni jo vetëm që vijon, por thellohet nga viti në vit, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Ai rendit mungesën e fondeve për rritje reale të pensioneve, për mbulimin e ilaçeve në Onkologjik, për fermerët dhe arsimin, si dhe refuzimin për të ulur TVSH-në e ushqimeve të shportës.
“Nuk ka lekë për rritje reale të pensioneve, nuk ka lekë për mbulimin e ilaçeve të Onkologjikut, nuk ka fonde për fermerët – përkundrazi, u vidhen edhe ndihmat e BE-së – nuk ka fonde për arsimin dhe madje nuk ulin as TVSH-në e ushqimeve të shportës”, thuhet në reagimin e tij.



