Prindërit në Shqipëri po rikthehen gjithnjë e më shumë te emrat shqiptarë për fëmijët e tyre, duke lënë pas trendin e emrave të huaj që mbizotëroi për dekada pas viteve ’90. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, emri më i përhapur për vajzat është Edua, ndërsa për djemtë kryeson Kren.
Përveç këtyre, po përdoren gjithnjë e më shumë edhe emra të tjerë me kuptime në gjuhën shqipe, shpesh të frymëzuar nga natyra, gjuha tradicionale dhe toponimia shqiptare.
“Sidomos emra nga gegnishtja sepse tingëllojnë më bukur. Ndërsa emrat më modernë, por që janë shqiptarë: Edua, Ajër. Më parë e vendosnin Ajra sipas italishtes, tani preferojnë Ajër, emër shqiptar. Bora që simbolizon bardhësinë”, shpjegon Dolores Rrapollari, specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Sipas saj, për djemtë mbeten shumë të preferuar edhe emrat e lumenjve dhe vendburimeve natyrore.
“Për meshkujt, më shumë janë emrat e lumenjve. Vazhdojnë të vendosin Drin, është shumë i përhapur. Ndërsa pjesa e veriut vendos emra si Flamur, Dren, Kroi. Trendi është edhe bashkimi i dy emrave: Sihana, Sidrita, Siar”, shton Rrapollari.
Sociologët e shohin këtë prirje si një rikthim tek identiteti kombëtar, pas një periudhe të gjatë dominimi të emrave të huaj, shpesh të zgjedhur pa u njohur kuptimi i tyre.
“Ka ardhur koha të vinte dhe si duket ka filluar. Brezi i ri, ndoshta i tejngopur nga emrat e huaj, po kërkon vetveten. Dëshira për modernitet dikur lidhej me Perëndimin. Një rol të madh kanë luajtur edhe filmat”, shprehet sociologia Entela Binjaku.
Megjithatë, në zyrat e gjendjes civile vijon të ekzistojë një listë me emra të ndaluar, të cilët konsiderohen fyes ose me ngarkesë negative.
“Varreze, Govate, Groshë, Mbarime… sepse kur lindnin shumë vajza, të mbaronin”, sqaron Rrapollari.
Ndërkohë, me ndryshimet e fundit ligjore në Shqipëri, ndërrimi i emrit është i ndaluar, duke e bërë zgjedhjen e prindërve një vendim përfundimtar



