Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për urdhër-arrestet që Prokuroria e Durrësit nxori pak ditë më parë, për përgjegjësit për mbetjet e rrezikshme të Kurum, të cilat pasi u kthyen nga Tajlanda, vijojnë të qëndrojnë në Porto Romano.
Gjatë fjalës në podkastin e tij ‘Flasim’, Rama u shpreh se vendimi i prokurorit që preu këto urdhër-arreste ishte i padrejtë, pasi sipas tij, çështja në fjalë nuk përmbush asnjë kusht të drejtësisë demokratike për masën ‘arrest me burg’ ndaj 33 personave.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër. Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është



