Nga Igli Çelmeta
Pas lajmit se aksioni për ndalimin e monopatinave u shua, me mosveprim duke mos miratuar rregulloren prej 4 muajsh dhe me mosndalim në terren, e theksoj pa thënë që është hequr udhëzimi i ndalimit, sot në mëngjes në orën 07:00, të gjitha shërbimet e policisë kanë marrë urdhër që të ndalojnë monopatinat, edhe pse është një ditë me shi të dendur dhe nuk janë kushtet për përdorimin e tyre.
Pra, lajmi paska qenë i vërtetë që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit e paskan harruar aksionin në heshtje (siç është thënë në lajm), dhe vetëm pas publikimit të lajmit sot u kujtuan. E dyta është fakti që monopatinat po u kthehen qytetarëve që i kanë pasur të bllokuara. Sot më kontaktoi një 14-vjeçar pasi kishte parë lajmin. Sipas tij, prej 3 javësh po kërkon monopatinën që i është bllokuar në fillim të aksionit dhe ajo nuk po gjendet, ndaj duket se ka humbur.
Pas reagimit të Ministrisë së Brendshme që udhëzimi vijon të jetë në fuqi, më kanë shkruar shumë përdorues të monopatinave dhe ajo që thonë të gjithë është fjalia: “mos na fike se po lëviznim rehat, tani që nxore lajmin nuk do të na lejojnë”. Ky është një tjetër konstatim që qytetarët po lëviznin me monopatina pa u shqetësuar.
Është normale që policia e kishte neglizhuar këtë aksion dhe nuk merrej më me monopatinat, dhe në një farë mënyre kanë edhe të drejtë, sepse nuk mund të rrijë policia përherë duke i ndjekur nga pas monopatinat, ndërkohë që ka 100 detyra të tjera. Jo vetëm kaq, por komisariatet nuk kanë organikë të mjaftueshme për të plotësuar detyrat kryesore, jo më të kenë policë që të merren posaçërisht me monopatinat.
Përveç faktit që institucionet duhet të dinë t’i lexojnë lajmet siç duhet dhe të reagojnë me veprime konkrete dhe jo vetëm me fjalë, Ministria e Brendshme duhet patjetër të vendosë rregulloren e re për qarkullimin e monopatinave, ashtu siç e kanë të gjitha vendet e Europës, dhe të mos vazhdojë më kjo situatë kaotike dhe qytetarët të lëvizin sipas ligjit.
P.S. I kërkoj ndjesë të gjithë përdoruesve të monopatinave që kanë lëvizur gjatë gjithë kësaj kohe, pasi në mënyrë indirekte i prisha punë dhe efektivët e policisë do të fillojnë sërish t’i ndalojnë.



