Një “luftë e ftohtë” e re po formësohet mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës, jo më mbi territore apo armë, por mbi rrjetet sociale, inteligjencën artificiale dhe ndikimin e tyre në shëndetin publik, teknologjinë dhe proceset zgjedhore.
Ndërsa Groenlanda u shfaq përkohësisht si temë urgjente në axhendën ndërkombëtare dhe më pas u zhduk, tensionet mes administratës së Donald Trump dhe qeverive kryesore europiane mbeten të forta.
Sipas kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, çështja kryesore është përplasja mbi modelin e zhvillimit teknologjik: përdorimi i ndërthurur i rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale për të ndikuar miliona përdorues, përfshirë të mitur, dhe për të maksimizuar fitimet e platformave në Bashkimin Europian. Duke folur në World Governments Summit në Dubai, Sánchez pyeti nëse Europa duhet të pranojë “një teknologji që normalizon dhe amplifikon mashtrimin, që e kthen privatësinë në lëndë të parë për shfrytëzim”, apo “një shoqëri ku një tekno-oligark mund të ndërhyjë në telefonat e miliona qytetarëve për të përhapur gënjeshtra”. Ai theksoi se përgjigjja duhet të jetë “një jo e qartë”, duke shtuar se demokracia europiane nuk do të tërhiqet.
Deklaratat e tij lidhen drejtpërdrejt me dy figura kyçe të sektorit: Elon Musk dhe Pavel Durov. Disa ditë më parë, Musk e kishte sulmuar Sánchez-in në platformën X, të cilën e zotëron vetë, duke e quajtur “tiran” dhe “tradhtar të popullit” për vendimin e qeverisë spanjolle për të rregulluar statusin e rreth gjysmë milioni emigrantëve. Sánchez e mbrojti këtë zgjedhje edhe në një editorial të botuar në “New York Times”. Paralelisht, Pavel Durov, themeluesi i Telegram-it, përdori platformën e tij për të kundërshtuar ashpër projektligjin spanjoll që synon kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit.
Projektligji i Madridit është i ngjashëm me iniciativa të tjera në Europë, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën. Ai parashikon ndalimin e aksesit në rrjete sociale për të miturit nën 16 vjeç, verifikime të rrepta të moshës, përgjegjësi penale për drejtuesit e platformave në rast mosheqjeje të përmbajtjeve të paligjshme ose të dëmshme, si dhe sanksione për manipulimin e algoritmeve me qëllim amplifikimin e dezinformimit apo ekstremizmit për arsye fitimi. Në të njëjtën kohë, qeveritë europiane kritikojnë faktin se kompanitë e mëdha teknologjike paguajnë taksa minimale në Europë, kryesisht përmes strukturave fiskale të përqendruara në Irlandë.
Pas fjalimit në Dubai, Musk dhe Durov intensifikuan sulmet ndaj Sánchez-it. Durov foli për “tepricë censure” dhe rrezik të “kontrollit total”, ndërsa Musk e cilësoi kryeministrin spanjoll si “fashist totalitar”, duke përdorur gjuhë fyese në rrjetet sociale.
Megjithatë, përplasja nuk kufizohet vetëm te Spanja. Përveç Francës dhe Britanisë së Madhe, edhe Danimarka, Norvegjia, Greqia dhe Sllovenia po shqyrtojnë masa për të kufizuar aksesin e të miturve në platforma digjitale. Në Itali, një projektligj i ngjashëm me mbështetje dypartiake u bllokua në Këshillin e Ministrave në tetor, pa shpjegime të qarta publike.
Në nivel europian, Gjermania po vlerëson mundësinë që kompani si Amazon dhe Netflix të detyrohen të riinvestojnë një pjesë të të ardhurave të tyre në tregun gjerman. Ndërkohë, Franca dhe Britania kanë ndërhyrë ndaj “Grok”, modelit të inteligjencës artificiale të X, pas rasteve të abuzimit dhe përmbajtjeve që relativizonin krimet naziste. Prokuroria e Parisit ka kryer kontrolle në selinë franceze të platformës dhe ka thirrur për sqarime drejtuesit e saj.
Në Uashington, shumica republikane në Kongres ka reaguar duke mbrojtur Big Tech-un. Komisioni i Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve akuzon qeveritë europiane për “censurë” dhe ka zhvilluar seanca dëgjimore kritike ndaj tyre. Qeveria italiane, ndërkohë, mbetet në një pozicion të rezervuar dhe pa deklarime të qarta.
Sipas këtij analize të publikuar nga media italiane Corriere della Sera, përplasja mes botës politike të Donald Trump dhe Europës mbi rregullimin e teknologjisë digjitale mbetet e hapur dhe një armëpushim duket ende larg



