Bankers Petroleum Albania, kompani e cila ndodhet aktualisht nën hetim për shmangie tatimore dhe evazion, i ka kushtuar shtetit shqiptar miliona euro humbje nga mospagesa e taksave, por gjithashtu edhe shpenzime masive për arbitrazhet dhe gjyqet e hapura ndër vite.
Raporti i Kontrollit të Lartë i Shtetit ka nxjerrë në pah një seri pasojash të rënda financiare dhe institucionale që lidhen me mënyrën se si është ndjekur nga Avokatura e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse çështja e arbitrazhit ndërkombëtar për vendburimin e Patos-Marinzës, si dhe disa procese të tjera të humbura nga shteti shqiptar.
Sipas auditimit, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, më 7 qershor 2024, ka dhënë vendimin për çështjen ICC Case 21349/GR, të iniciuar që në vitin 2015, mes kompanisë “Bankers” dhe institucioneve shqiptare, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Vendimi ka sqaruar kriteret për rikuperimin e kostove hidrokarbure dhe ka konstatuar se mbi 200 milionë dollarë të deklaruar nga operatori si të rikuperueshme nuk plotësonin kushtet ligjore.
Tribunali ka urdhëruar kompaninë të korrigjojë deklaratat financiare për vitet 2012–2017 dhe të reflektojë ndryshimet në raportimet tremujore pas vendimit. Këto rregullime, sipas auditimit, pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përllogaritjen e tatimit mbi fitimin dhe në auditimet e mëvonshme të AKBN-së për vitet 2018 e në vijim.
Në të njëjtin vendim, arbitrazhi ka detyruar palën shqiptare të paguajë shpenzimet procedurale në vlerën 5.76 milionë dollarë. Një kërkesë për korrigjim dhe interpretim, e paraqitur në Zvicër në korrik 2024, u rrëzua në nëntor të po atij viti, duke konfirmuar përfundimisht detyrimin financiar të shtetit shqiptar, ndërsa Bankers u detyrua të paguajë një pjesë të kostove ligjore ndaj Albpetrol.
Statusi aktual tregon se vetëm në shkurt 2025 AKBN ka paraqitur kërkesë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit, duke reflektuar, sipas KLSH-së, vonesa të pajustifikuara institucionale.
Raporti evidenton gjithashtu barrën e rëndë financiare që kjo çështje i ka sjellë buxhetit të shtetit. Deri më tani, shpenzimet përfshijnë rreth 224 mijë dollarë, mbi 2.69 milionë euro dhe mbi 3.6 mijë paund britanikë, të lidhura me tarifa gjyqësore, përfaqësim ligjor, ekspertiza, përkthime dhe logjistikë procedurale.
Në pasqyrat financiare të AKBN-së për vitin 2023 rezulton i kontabilizuar një vendim arbitrazhi ndërkombëtar, i cili lidhet me të njëjtën çështje. Megjithatë, auditimi konstaton se një detyrim prej mbi 1.16 milionë dollarësh, i vendosur nga një vendim i ndërmjetëm i vitit 2018, nuk është likuiduar dhe as planifikuar për shlyerje deri në fund të vitit 2023, në kundërshtim me rregullat e menaxhimit financiar.
Përveç rastit të Patos-Marinzës, KLSH ka analizuar edhe çështje të tjera të humbura nga Republika e Shqipërisë. Vetëm një prej tyre, ICC Case 22676/GR me paditëse kompaninë GBC, është njohur nga Gjykata e Apelit në vitin 2021. Në këtë rast, MIE dhe AKBN janë detyruar të paguajnë mbi 12.5 milionë dollarë dëmshpërblim, si dhe shuma shtesë për kostot dhe interesat.
Sipas raportit, edhe për këtë vendim nuk janë marrë masa konkrete për njohjen dhe planifikimin buxhetor të detyrimit deri në prill 2025, duke ekspozuar shtetin ndaj riskut të rritjes së interesave. Vetëm për periudhën 2020–2024, interesat e përllogaritura arrijnë në mbi 60 mijë euro, një kosto shtesë për financat publike.
Në përfundim, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, AKBN dhe Avokatura e Shtetit të bashkërendojnë veprimet për ndjekjen e procedurave ligjore, njohjen e plotë të detyrimeve në pasqyrat financiare dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit.
Sipas audituesve, mungesa e koordinimit, vonesat dhe mosplanifikimi buxhetor kanë krijuar një risk të vazhdueshëm për buxhetin e shtetit dhe kanë dëmtuar besueshmërinë institucionale të Shqipërisë në arbitrazhet ndërkombëtare./



