Ilir Meta i është përgjigjur nga qelia ministrit Besfort Lamallari, pasi ky i fundit deklaroi sot në Kuvend se presidenti i Partisë së Lirisë ka të gjitha kushtet në qeli dhe trajtohet si të gjithë të paraburgosurit e tjerë.
Ai shkruan se në burgun “Jordan Misja” në Tiranë ku ai mbahet i paraburgosur prej më shumë se 1 viti, vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike, për të dhe 500 të burgosur e të paraburgosur të tjerë që ndodhen në ato ambiente.
“Ndërsa lidhur me respektimin e të drejtave të mia dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV “Jordan Misja” për lirinë e fjalës”, thotë Ilir Meta.
Presidenti i Partisë së Lirisë shtron disa pyetje për ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari:
A e di “Diella” e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë?
A e di “Diella” e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor?
A e di “Diella” e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit?
E ç’mund të presësh nga “Diellat”?”



