Ermal Hasimja ishte së fundmi i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për nismën e tij për bashkimin e opozitës.
Gjatë bisedës, ai u pyet nga Ylli Rakipi nëse qëllimi i kësaj nisme është ardhja e Sali Berishës në pushtet.
Hasimja e mohoi kategorikisht këtë pretendim, duke theksuar se synimi kryesor i iniciativës nuk është ardhja e Berishës në pushtet, por garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.
Gjithashtu ai konfirmoi se ka pasur komunikim me Sali Berishën, por theksoi se nuk është diskutuar se kush do të jetë kryeministër. Por kemi diskutuar të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Biseda e Plotë:
Ylli Rakipi: Keni ndërmarrë një iniciativë, gati si mision, për të bashkaur forcat opozitare. Çfarë qëllimi keni dhe çfarë keni arritur deri tani?
Ermal Hasimja: Kemi konstatuar që partitë e ndryshme të opozitës, kanë disa objektiva të përbashkëta. Pa pretenduar për shumë larg, përpiqemi ti koordinojmë, ti rakordojmë për të arritur këto objektiva të përbashkëta, që janë në interesin e përgjithshëm. Nuk bëhet fjalë për t’u bashkuar me Berishën, por bëhet fjalë për bashkëpunim. Nuk është për të bërë Berishën kryeministër. Nuk ka lidhje me këtë gjë. Zgjedhjet janë pas tre vitesh e gjysmë. Qëllimi është, që objektivat që kanë këto parti dhe që i shpallin, të bashkëpunojnë dhe të realizojnë. Së pari të luajnë rolin për të marrë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi konstatuar nivelin e zgjedhjeve, përfshirë edhe OSBE-ODHIR. Të kërkojmë Kod Zgjedhor të pranueshëm për të gjithë partitë. Të kemi një mbështetje për sistemin e drejtësisë për një drejtësi që godet krimin e organizuar dhe korrupsionin. Këto janë qëllimet, nuk është përmendur se kush do të jetë kryeministër, çështje koalicionesh apo nuk e di se çfarë. Këto janë objektiva që i gjen në ligjërimin e secila prej partive.
Ylli Rakipi: Pavarësisht nga qëllimi dhe ideja, të dyja të mira, qëllimi i këtij bashkimi është rrotacioni apo jo?
Ermal Hasimja: Bashkëpunimi.
Ylli Rakipi: Rrotacioni, pra largim i Ramës dhe ardhja në pushtet e Berishës, që thotë jam me mision.
Ermal Hasimja: Këtë mision e ka edhe Adriatik Lapaj. E kanë të gjitha partitë.
Ylli Rakipi: Berisha do të marrë votat tani për të qenë edhe 4 vjet në krye të PD. Ju po i ftoni partitë e vogla, ose opozitare, që në krye të jetë Berisha.
Ermal Hasimja: Jo nuk është e vërtetë.
Ylli Rakipi: Me Berishën keni biseduar?
Ermal Hasimja: Po me Berishën dhe të tjerët. Në asnjë moment, nuk ka patur diskutim se kush do të bëhet kryeministër, sepse nuk ka lidhje me këtë. E vetmja gjë që ka rëndësi tani, është të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, të kemi qeveri që garanton këto, qeveri tranzitore, teknike, quheni sit ë doni dhe të kemi një Kod Zgjedhor që mundëson përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve. Nuk jemi te diskutimi se kush do të bëhet kryeministër, por a do të ketë apo jo përfaqësim të drejtë të shqiptarëve, apo zgjedhje si ato që kishim.



