Bashkia Lezhë bën një punë të mirë: Shtatorja e Mbretëreshës Teuta do të përurohet shumë shpejt!

spot_img
Advertisements

Mirë se u ktheve Mbretëreshë!

Nga Marin Mema

Kur e nisa këtë projekt disa vite më parë, nuk e mendoja se rrugëtimi i tij do të ishte kaq i gjatë. Ideja për realizimin dhe vendosjen e një shtatoreje të Mbretëreshës Teuta – e më pas edhe të mbretërve të tjerë – ka qenë dhe mbetet një ëndërr e madhe, jo vetëm për mua, por për shumë shqiptarë që e ndjejnë historinë si pjesë të identitetit të tyre.

Pas shumë pune, lodhjeje, takimesh dhe diskutimesh me disa bashki në vend, jam i lumtur që sot ky projekt ka marrë zyrtarisht rrugë. Më në fund, ai projekt që nisa kohë më parë, sot ka marrë zyrtarisht “dritën jeshile”. Shtatorja e Mbretëreshës Teuta, e përfunduar prej kohësh, nuk do të presë më. Bashkia Lezhë ka pranuar konkretizimin e këtij projekti të veçantë dhe të rrallë në llojin e tij në të gjitha trojet shqiptare. Një vlerë të shtuar i jep edhe fakti që vendosja e shtatores është miratuar me votë unanime nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Lezhës, pa asnjë dallim. Faleminderit të gjithëve!

Shtatorja është realizuar me mbështetjen e shqiptarëve të zakonshëm, çka e bën këtë nismë edhe më përfaqësuese dhe domethënëse. Jam i bindur se ky monument do të shndërrohet në një pikë të rëndësishme referimi, jo vetëm për të dëshmuar historinë e Mbretëreshës Teuta dhe Lisusit të lashtë, por edhe për të risjellë në vëmendje një pjesë të Ilirisë dhe kulturën e veçantë të paraardhësve tanë.

E di që do të lindin pyetje se pse jo Durrësi, Shkodra apo Tirana, por nuk është koha që sqarimet të na prishin festën.
Në shkrim, më sipër diçka e kam thënë.

Sot dua të shpreh falënderimin tim për Kryetarin e Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, për qasjen institucionale dhe mbështetjen e dhënë ndaj këtij projekti. Gjithashtu mirënjohje të përzemërt ndaj mikut tim Paulin Zefi për kujdesin e veçantë dhe angazhimin e vazhdueshëm. Një tjetër vlerësim i veçantë shkon për miqtë Behlul Gashi, Mevlan Mata, Albin Laci, Vilson Dautaj dhe Klodian Marku, pa mbështetjen e të cilëve konkretizimi i këtij projekti do të ishte shumë i vështirë. Falënderoj padyshim edhe skulptorin Juljan Muçollari, autorin e veprës, të cilën nuk do ta zbulojmë ende, pasi madhështia e saj do të kuptohet plotësisht në momentin e vendosjes në terren. Kërkoj mirëkuptim në këtë pikë dhe mos publikim të saj deri në përfundimin e projektit!

Tashmë nis puna për vendosjen e shtatores, me pamje nga deti, në atë që njihet si ballkoni panoramik në rrugën që lidh Shëngjinin me Velipojën, me shikim nga Ulqini dhe një pjesë e asaj vije të gjerë bregdetare që ajo dikur zotëronte.

Teutë, mirë se u ktheve në Iliri! Është padyshim vetëm një pjesë e hapsirës që zotëroje në lashtësi, një pjesë e Ilirisë së madhe që shtrihej edhe përtej këtij gadishulli, por rikthimi yt shpresoj ti hapë rrugën edhe kthimit të mbretërve të tjerë.

spot_img

Latest articles

Related articles