Tregu i karburantit në vend, 30 % evazion fiskal i kompanive të mëdha! Shteti mbyll sytë

spot_img
Advertisements

Shifrat që kuadrojnë dhe shifrat që kuadrojnë frikshëm!

Ka dy mënyra për ta lexuar tregun e karburanteve: me shifrat që “kuadrojnë” dhe me shifrat që “kuadrojnë frikshëm”. Nga njëra anë, kur merret volumi vjetor i importuar (rreth 650 mijë ton) dhe kthehet në litra, del një interval i arsyeshëm (rreth 774–867 milion litra, sipas përzierjes naftë/benzinë) dhe kjo lidhet logjikisht me të ardhurat doganore të lidhura me karburantet. Nga ana tjetër, kur krahasohet konsumi rrugor për frymë (benzinë + naftë) me rajonin, Shqipëria del dukshëm më poshtë: rreth 326–334 L/banor/vit, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dalin më lart (Kosovë ~385; Bosnje ~430; Serbi ~443; Mal i Zi ~486; Maqedoni e Veriut ~519). Mesatarja e diferencës del rreth +37% ndaj Shqipërisë. Në një rajon të ngjashëm në sjellje konsumi dhe ekonomi, një hendek i tillë ngre dyshimin më të thjeshtë teknik: a është Shqipëria realisht “më kursimtare”, apo thjesht raportohet më pak?

Po aq i fortë është edhe sinjali nga çmimet. Në këtë analizë, Shqipëria del mesatarisht rreth 30–40% më e shtrenjtë për litër naftë dhe benzinë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Kjo do të thotë se, në skenar, shqiptarët paguajnë një çmim më të lartë (me peshë të fortë taksash), ndërkohë që konsumimi i raportuar del më i ulët se “norma” rajonale. Nëse të dyja këto janë të vërteta njëkohësisht, krijohet një paradoks: për “sy e faqe”, shifrat fiskale mund të duken të krahasueshme me rajonin (sepse çmimi i lartë “kompenson” volum më të ulët të raportuar), por në realitet qytetarët paguajnë më shumë për litër, ndërsa një pjesë e tregut mund të qarkullojë jashtë faturimit në rendin 30–40%. Kur ky hendek projektohet në kohë, del një vlerë tronditëse: në skenarin e kësaj llogaritjeje, diferenca e të ardhurave publike të munguar shkon në rendin e rreth 5 miliardë eurove në një periudhë 12-vjeçare.

Dhe këtu vjen pyetja e vështirë, por e pashmangshme: në xhep të kujt mund të ketë hyrë kjo diferencë? Nëse një pjesë e konsumit nuk faturohet, diferenca nuk “shkon diku” si një fond unik, por ajo shpërndahet si fitim informal përgjatë zinxhirit, nga furnizimi dhe depozitimi, te transporti, te pika e shitjes me pakicë, e deri te rrjetet që e mbajnë jashtë sistemit.
Prit pak! A nuk jane keto ne te njëjtën dorë?
Nëse, paralelisht, çmimi është më i lartë se rajoni, barra bie mbi qytetarët dhe bizneset që paguajnë rregullisht. Kjo nuk është një akuzë me emra, por është një kërkesë logjike për transparencë: auditim të plotë të zinxhirit, gjurmim të volumit real (import-stok-shitje), kontroll të pavarur të faturimit dhe një pasqyrë publike që e mbyll përfundimisht hendekun mes “shifrave që kuadrojnë” dhe “shifrave që kuadrojnë frikshëm”.

spot_img

Latest articles

Related articles