Historia e Një Gënjeshtre të Vjetër! Nga Kostana Morava

spot_img
Advertisements

Aristokracia franceze nuk përfundoi në gijotinë kur populli mbeti pa bukë dhe as kur u nëpërkëmb ose u shtyp. Ajo u flijua në momentin kur hipokrizia mbi të cilën ishte ngritur rendi borgjezo-aristokrat u bë e dukshme dhe e padurueshme. Maria Antoneta, si simbol i përfaqësimit të një rendi të tërë të shkëputur nga realiteti, u kthye në figurën përmes së cilës kjo hipokrizi u bë e lexueshme për popullin.

Hipokrizia kishte lindur më herët, në sallonet e aristokracisë, si mjet mbijetese morale, si mënyrë për të justifikuar privilegjin, pushtetin dhe shfrytëzimin, duke i mbështjellë këto me fjalë të bukura, me etikë të rreme dhe me një ndjenjë të sajuar epërsie morale. Kur populli e pa këtë hipokrizi, dhe kur ajo iu tregua me qëllim nga ata që synonin republikën dhe pushtetin, zemërimi nuk u kanalizua në drejtësi, por u kthye në dhunë të verbër.

Revolucioni Francez jo vetëm që nuk e shkatërroi hipokrizinë, por ia ndërroi duart dhe e sofistikoi maksimalisht, duke e çliruar nga forma e saj e vjetër dhe duke e përshtatur për rendin e ri.

Ajo që pasoi më vonë, përmes nacionalizmit francez dhe manipulimit sistematik të popullit nga elitat e reja, erdhi deri në ditët tona. Elita e re, me Napoleonin në krye dhe me ata që e ngritën dhe e kontrolluan atë, nuk trashëgoi nga aristokracia dhe borgjezia as përgjegjësinë, as kulturën e vërtetë, as ndjenjën e kufirit, por huazoi tiparin më të shëmtuar të tyre: hipokrizinë.

Kështu, brez pas brezi, aftësia për të thënë një gjë dhe për të bërë një tjetër, për të predikuar virtytin dhe për të jetuar vesin, për të folur në emër të popullit ndërsa populli përdorej si mish këmbimi, u trashëgua me përpikëri edhe në jetën tonë, edhe pse pas më shumë se dyqind vjetësh.

Ajo që e bëri hipokrizinë edhe më të rrezikshme për kohën tonë ishte momenti kur ajo u rrëmbye nga poshtë.

Kur të varfërit, të përjashtuarit dhe të pakënaqurit, në vend që ta refuzonin si ves të parisë, e përqafuan si mjet për t’u ngjitur në status social dhe ndërtuan veten mbi të, sikur ky ves t’u ishte përshtatur natyrshëm.

Hipokrizia pushoi së qeni vetëm maskë e pushtetit dhe u kthye në mënyrë të menduari, në sjellje të përditshme, në kriter për të ecur përpara.

Dalëngadalë, dhe me një ndikim të fortë francez, veçanërisht përmes artit dhe kulturës, hipokrizia u paketua, u estetizua dhe u shpërnda si model jete.

Një model ku njeriu u mësua dalëngadalë të mos ketë më rëndësi se çfarë është në të vërtetë por vetëm çfarë duket, të mos peshohet më për atë që bën por për atë që deklaron dhe të mos gjykohet më për vlerat që mbron por për krahun ku rreshtohet.

Kështu hipokrizia u “demokratizua”.

Në një proces të gjatë historik dhe politik, hipokrizia nuk mbeti e mbyllur në sallonet e borgjezisë, por zbriti gradualisht në jetën e përditshme. Ajo hyri në rrugë, në shkolla, në media, në marrëdhënie, dhe mbi të gjitha në mënyrën si njerëzit filluan të sillen me njëri-tjetrin, të flasin, të zgjedhin dhe të heshtin.

Nga një mjet i përdorur nga borgjezia për të mbrojtur privilegjin dhe për ta justifikuar atë moralisht, hipokrizia u kthye në një mekanizëm mbijetese për masat, në një mënyrë për të justifikuar dorëzimin, mungesën e guximit dhe heqjen dorë nga e vërteta pa u ndier fajtor.

Kështu, pas më shumë se dyqind vjetësh, hipokrizia nuk ishte më thjesht ves i një klase të vjetër shoqërore por ishte shndërruar në pjesë të mendimit politik europian, veçanërisht të së majtës, e përpunuar, e sistemuar dhe e paraqitur si ndjeshmëri shoqërore.

Ajo nuk u imponua me forcë por u pranua sepse ofronte një rrugë të lehtë për të mos mbajtur përgjegjësi, për të folur në emër të vlerave pa i jetuar ato dhe për të ruajtur një ndjenjë epërsie morale pa paguar koston e saj.

Kjo hipokrizi, tashmë e sistemuar dhe e mbrojtur si virtyt, nuk mbeti më as e fshehur, as e turpshme, por doli në skenë, u ekspozua dhe u shfaq si triumf, siç ndodhi edhe në Lojërat Olimpike Verore 2024, ku Franca i tregoi botës se deri ku mund të shkojë zbrazja morale kur përdhosja shitet si art dhe provokimi si përparim.

Në emër të hapjes, të modernitetit dhe të ndjeshmërisë, u përdhosën simbole që për shekuj kanë mbajtur peshë shpirtërore dhe kulturore dhe ajo që dikur do të quhej shkelje u quajt guxim ndërsa ajo që do të quhej fyerje u quajt interpretim.

Nuk ishte lapsus, as rastësi por pasojë e një rruge të gjatë ku hipokrizia, e zhveshur nga çdo ndjenjë kufiri, kërkon vazhdimisht të shkojë një hap më tej, jo për të ndërtuar por për të provuar se nuk ka më asgjë që nuk mund të përdhoset.

E majta europiane nuk e trashëgoi hipokrizinë si aksident por si mjet të sajin, si armë.

Fillimisht ajo e përdori për të folur në emër të punëtorit, më pas në emër të të përjashtuarit dhe, me kalimin e kohës, në emër të çdo grupi që mund të shpallej viktimë, derisa njeriu normal, konkret dhe i gjallë, u zhduk nga pamja dhe mbeti vetëm etiketa, e cila është e lehtë për t’u përdorur, për t’u ndërruar dhe për t’u hedhur tutje sipas nevojës.

Në këtë mënyrë, hipokrizia u kthye në mënyrën më të sigurt për të ruajtur pushtetin duke u shtirur sikur po e lufton atë, për të jetuar në luks duke folur kundër luksit dhe për të ndërtuar karrierë mbi varfërinë e të tjerëve, pa mbajtur kurrë peshën e asaj që predikohej.

Sot, e njëjta hipokrizi ka kaluar pa asnjë diferencë te liberalët modernë, të cilët nuk mbrojnë më lirinë si gjendje reale por vetëm pamjen e saj, një version të kontrolluar, të padëmshëm për status quo-në.

Liria nuk kërkohet më të jetohet, mjafton që të shpallet. Mendimi nuk kërkohet më të merret mbi vete por vetëm të miratohet. Ndërsa zgjedhja nuk kërkohet më të bëhet por vetëm të shmanget.

E gjithë kjo, në emër të një hapjeje që nuk përjashton asgjë dhe pikërisht për këtë arsye nuk mbron më asgjë.

Kështu, pa bujë dhe pa kundërshtim, hipokrizia, që nga sallonet e borgjezisë, te revolucionet, te doktrinat e majta dhe më pas te liberalizmi bashkëkohor, u bë boshti mbi të cilin u ndërtua një botë ku fjala nuk ka më peshë sepse gjithçka mund të justifikohet, të relativizohet dhe të riemërtohet sipas interesit të çastit.

Po kjo hipokrizi e moçme ka pjellë ambiguitetin si mënyrë jetese, jo si gjendje kalimtare, por si regjim të përhershëm mendor, ku njeriu mësohet të mos zgjedhë kurrë plotësisht, të mos thotë kurrë po ose jo, të mos dijë më çfarë i pëlqen, çfarë do, çfarë urren, por të qëndrojë pezull, gjithmonë në pritje të versionit tjetër, të tregimit tjetër, të ofertës tjetër që i vjen gati nga mediumet.

Ambiguiteti nuk u injektua si dobësi por si zgjuarsi, si hapje mendore, si pjekuri, duke e bërë njeriun modern të humbasë instinktin e zgjedhjes, të mos mbajë më asnjë peshë vendimi dhe të pranojë gjithçka që i serviret.

Në fakt, refuzimi kërkon karakter, kërkon rrezik, kërkon identitet.

Kështu njeriu u mësua të konsumojë mendime, stile jete, ide, trupa, marrëdhënie, ushqim, informacion, pa i përvetësuar kurrë, pa i jetuar kurrë, vetëm duke i marrë gati, të paketuar, të filtruar, derisa humbi aftësinë për të dalluar çfarë është e tija dhe çfarë është e injektuar.

Në këtë konfuzion të qëllimshëm, ambiguiteti u bë strehë për mungesën e guximit, për frikën nga zgjedhja dhe për heqjen dorë nga përgjegjësia për jetën e vetë njeriut.

Pasoja e këtij ambiguiteti të injektuar është një njeri i shpërbërë nga brenda, që nuk di më të dojë sepse dashuria kërkon zgjedhje, nuk di më të ndërtojë sepse ndërtimi kërkon qëndrueshmëri, nuk di më të mbrojë asgjë sepse mbrojtja kërkon vijë të qartë.

Ky njeri nuk e njeh më veten por njeh vetëm versionet që i serviren, identitetet e përkohshme, mendimet me afat skadence.

Ai nuk ka më shije, ka vetëm parapëlqime të sugjeruara. Nuk ka bindje, ka vetëm reagime. Nuk ka përgjegjësi, ka vetëm justifikime.

Dhe ndodh që sa më shumë t’i ofrohet, aq më pak zgjedh sepse zgjedhja do ta detyronte të hiqte dorë nga diçka tjetër.

Kështu ai bëhet konsumator i përhershëm i gjithçkaje dhe mbajtës i asgjëje, i hapur ndaj çdo rryme, çdo tregimi, çdo deformimi.

Asgjë nuk e lidh më me një bosht të brendshëm.

Në këtë gjendje, njeriu pranon gjithçka pa përqafuar asgjë, jeton gjithçka pa jetuar asgjë dhe humb ngadalë aftësinë për të thënë “kjo jam unë” dhe “kjo nuk jam unë”.

Kur kjo ndodh, ai nuk ka më as forcë për të kundërshtuar, as arsye për të rezistuar sepse ambiguiteti i ka mësuar se çdo gjë është e përkohshme, çdo e vërtetë e negociueshme dhe çdo dorëzim mund të quhet pjekuri.

Po kjo hipokrizi është ajo që ka hyrë në shkolla dhe çertifikata, ku njeriu nuk mësohet më të mendojë por të përshtatet, të kalojë filtrat, të përdorë fjalët e duhura dhe të heshtë aty ku mendimi i tij do të bëhej i rrezikshëm.

Që nga banka e shkollës i mësohet se mendimi kritik nuk është virtyt por problem, se pyetja e gabuar nuk të bën më të mençur por të nxjerr nga sistemi. U formua kështu një brez që di të plotësojë formularë, të marrë çertifikata dhe të mos kuptojë asgjë nga jeta reale.

Po këto universitete majtiste, që më shumë se shkolla janë qendra ku shpëlahet truri nga çdo aftësi kritike, kanë prodhuar njerëz që flasin gjatë për gjithçka dhe nuk dinë të mbajnë asnjë peshë reale.

Njerëz që ndihen moralisht superiorë vetëm sepse janë të rreshtuar në anën e duhur, që nuk krijojnë, nuk ndërtojnë, nuk prodhojnë, por çertifikohen nga organizata të krijuara po nga të njëjtët njerëz që kanë ndërtuar doktrinën e shkatërrimit të njeriut.

Një sukses i vulosur në letër, por bosh në jetë.

Po e njëjta hipokrizi ka kthyer poezinë dhe artin në institucion rehabilitimi, ku mungesa e talentit nuk është më problem, por kriter pranimi.

Ku mediokriteti vishet me ndjeshmëri, ku varfëria shpirtërore shitet si thellësi, ku çdo gjë që kërkon disiplinë, mjeshtëri dhe sakrificë përjashtohet si elitiste.

Poezia woke nuk lind nga nevoja për të thënë të vërtetën por nga nevoja për t’u ndjerë i pranuar, për të marrë duartrokitjen e atyre që nuk rrezikojnë kurrë asgjë.

Po kjo hipokrizi ka hyrë edhe në marrëdhëniet njerëzore, ku lidhjet në çift janë kthyer në kontrata, ku dashuria matet me terma sigurie dhe përfitimi, ku askush nuk hyn më në marrëdhënie për t’u dhënë por për t’u mbrojtur.

Ku burrat janë bërë princesha që presin miratim, dhe gratë lidere që mbajnë mbi shpinë një forcë që nuk u përket, ndërsa feminiteti dhe maskuliniteti trajtohen si defekte që duhen fshehur ose rregulluar.

Po kjo logjikë e shtrembëruar ka deformuar edhe mënyrën si njeriu e jeton trupin e vet, ku ushqimi nuk është më ushqim, por ideologji, ku dietat pa ushqim real shiten si përparim, sikur njeriu të ishte zog që jeton me fara dhe jo qenie që ka nevojë për mish, për tokë, për energji reale.

Trupi nuk shihet më si diçka për t’u ruajtur por si problem për t’u korrigjuar.

Po kjo hipokrizi ka pushtuar median, e cila nuk funksionon më si informim por si entitet i propagandës së falsitetit, ku e vërteta hollohet, relativizohet dhe shpërndahet në doza të vogla që të mos shqetësojë askënd.

Ku fjala e drejtë etiketohet si e rrezikshme, ku mendimi i sinqertë quhet diskriminues dhe ku frika nga të thënit e asaj që mendon shitet si pjekuri shoqërore.

Po në këtë terren janë mbledhur nga çdo cep i botës të dëshpëruarit, të shëmtuarit, të humburit, të paaftët, pa talente, pa formë, pa rrënjë, të cilëve u është premtuar piedestali i suksesit jo sepse kanë ndërtuar diçka, por thjesht sepse janë defiçentë.

Woke-izmi dhe narcizizmi janë bërë strehë për ta, duke u thënë se nuk kanë pse të ndryshojnë dhe zhvillohen, se bota u ka borxh gjithçka dhe se çdo dështim i tyre është faj i dikujt tjetër.

Po kulmi i kësaj doktrine është ajo që u bë me fëmijët, lavazhi më i rëndë që i është bërë ndonjëherë mendjes njerëzore, duke i bindur se nuk duhet të duan veten, se kanë lindur në trupin e gabuar, se identiteti i tyre është një gabim që duhet korrigjuar.

Prindërit u intimiduan të heshtin, shoqëria u detyrua t’a quajë këtë kujdes dhe kush guxoi të thoshte ndryshe u shpall armik.

Kjo është një ideologji që prodhon skllevër mendorë, që i drogon fëmijët, që i shkëput nga familja, nga jeta, nga trupi i tyre, duke u dhënë kuptime të parafabrikuara për gjithçka, përfshirë edhe idenë se duhet të luftojnë ata që nuk pranojnë që jeta në tokë t’u dorëzohet makinerive.

Kjo rrymë ka vetëm një destinacion, nga homoseksualizmi deri te transhumanizmi, do të jenë po këta, ata që të parët do të pranojnë të mos jenë më as njerëz.

Kjo mund të duket fantashkencë sot, por ky është haraçi që do të paguajë njeriu nëse nuk kupton se ka ardhur koha të ruajë trupin e tij, mendjen e tij, jetën e tij, tokën, familjen dhe gjakun.

Duke luftuar si fillim, hipokrizinë.

© Kostana Morava (2026)

Në foto: The Hypostasis of the Archons (The Reality of the Rulers).

spot_img

Latest articles

Related articles