Biznesmeni i Pushtetit Mond Bego do ndërtojë kështjellë luksoz në Sarandë

spot_img
Advertisements

Në zonën e Berdeneshit në Sarandë do të ndërtohet një lagje në formën e citadelave antike. I pagëzuar me emrin Berdenesh Hills, projekti është dizenjuar nga studio italiane NOA dhe parashikon ndërtimin e 8 pallateve ngjitur me detin.

“Edhe pse tipologjia arkitekturore mbizotëruese në qytetin bregdetar të Sarandës sot është kulla, për këtë projekt ne kërkuam të rilidheshim me gjurmët e së kaluarës. Ne parashikuam krijimin e një lagjeje të vogël të re në formën e një kështjelle. Ashtu si homologët e saj historikë, kjo kështjellë bashkëkohore zhvillohet rreth një pike qendrore: sheshit qendror. Megjithatë, ndryshe nga fortesat e lashta greke, romake ose mesjetare – shembulli më i famshëm shqiptar është Gjirokastra – muret e saj perimetrale, të formuara nga një shumëllojshmëri ndërtesash, hapen nga jashtë në një kërkim të vazhdueshëm për lidhje me mjedisin përreth”, shpjegon Andrea Dal Negro, arkitekte e NOA-s

Projekti, i cili parashikon mbi 60 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi, do të ndërtohet nga një trust prej 4 kompanish, mes të cilave Best Construction e Mond Begas dhe LTE e Artur Çaushajt. Programi funksional përfshin afërsisht 250 apartamente dhe një hotel të shpërndarë në 26 mijë m², shkruan kapitali.al

Edmond Bego vitet e fundit është kthyer në një nga biznesmenët më të përfolur dhe të akuzuar edhe nga opozita shqiptare, përfolur si miku i pushtetarëve të PS.

Edmond Bego ka dy vila në kompleksin luksoz “Rolling Hills”, në pronësi të kompanisë së inerteve Express sh.p.k, si edhe koncensione pasi është pronar i disa guroreve. Ai është hetuar disa herë për pasurinë por në asnjë rast nuk ka pasur një rezultat bllokimi të pasurisë së tij.

Sipas Operacionit Forca e Ligjit, ai është i dënuar në Itali me 11 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge, heroinë dhe kokainë. Vendimi nga drejtësia italiane është marrë më 26 prill 2007 fillimisht me 27 vjet e 9 muaj, i ulur në 18 vjet e 5 muaj, dhe së fundi si përfitues nga amnistia e 2009-ës është dënuar me 11 vjet heqje lirie. Për të njëjtën çështje në Itali, ai është arrestuar edhe vite më parë në Shqipëri, asokohe me emrin Manoli Bega.

Ishte 24 dhjetori i 2009 kur drejtoria kundër krimit të organizuar në Tiranë e arrestoi në kryeqytet. Në njoftimin e policisë 9 vite më parë nënvizohej fakti se i arrestuari Manoli Bega, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë njihej dhe me disa emra të tjerë si: Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari. Gjithashtu në njoftimin e policisë të dhjetorit 2009 thuhej se i arrestuari ishte i përfshirë në një organizatë kriminale ku bënin pjesë edhe Aldo Bare, Enver Dondollaku, ndërsa ai ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinimin e aktivitetit dhe pjesëtarëve të tjerë të organizatës, si dhe organizator për shpërndarjen dhe administrimin e parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë në Tiranë në 2010, Bego u lirua për më pak se 3 vite burgim.

Ai është ndaluar në vitin 2018 nga policia greke teksa kthehej për në Shqipëri nga Korfuzi ku bëri pushimet me familjen, ku u arrestua për llogari të autoriteteve italiane por mbi urdhër-arresti tashmë të skaduar. Ai u ndalua me një pasaportë me emrin e ndryshuar në Mond Bega, siç e ka edhe sot, me anë të së cilës kishte kaluar nga Shqipëria për në Korfuz.

spot_img

Latest articles

Related articles