Një ish-agjent i CIA-s ka bërë deklarata alarmante lidhur me atë se çfarë mund të dëgjojnë dhe kontrollojnë pajisjet që përdorim çdo ditë, nga telefonat inteligjentë te televizorët, dhe madje edhe makinat.
John Kiriakou, ish-operativ i CIA-s dhe i ftuar këtë javë në podcast-in “The Diary of a CEO”, u shpreh se pajisjet digjitale nuk janë aspak të sigurta, duke rrëzuar idenë se privatësia jonë është e mbrojtur.
“Nuk janë të sigurta fare. Dhe nuk është vetëm SHBA-ja. Britanikët, francezët, gjermanët, rusët, kinezët, izraelitët, iranianët; të gjithë i kanë këto kapacitete. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm,” – tha Kiriakou.
Ai kujtoi edhe skandalin e vitit 2017, të njohur si “Vault 7”, kur dokumente tepër sekrete të CIA-s u publikuan nga WikiLeaks. Sipas tij, këto dokumente zbuluan se agjencia amerikane kishte aftësinë të shndërronte televizorët smart në mikrofonë, edhe kur ata ishin të fikur.
“Televizori mund të dëgjojë gjithçka që thuhet në dhomë dhe ta transmetojë më pas. Kjo teknologji ekzistonte që në vitet ’80,” – u shpreh ish-agjenti.
Por deklarata më shqetësuese lidhej me kontrollin e makinave nga distanca. Sipas Kiriakou, shërbimet sekrete janë në gjendje të marrin kontrollin e sistemit kompjuterik të një automjeti, duke shkaktuar aksidente fatale.
“Mund ta nxjerrin makinën nga rruga, ta përplasin, ta hedhin nga ura. Po, kjo është e mundur,” – tha ai.
John Kiriakou është i njohur edhe për faktin se u dënua me burg pasi ekspozoi programin sekret të CIA-s për marrje në pyetje, përfshirë praktika të tilla si “waterboarding”, duke u bërë i vetmi punonjës i agjencisë i dënuar për këtë çështje.
Waterboarding është një teknikë e ndaluar e marrjes në pyetje, ku personi i lidhur simulohet sikur po mbytet, duke i hedhur ujë mbi fytyrë dhe duke i shkaktuar ndjesinë ekstreme të mbytjes, frikës dhe panikut.
Deklaratat e tij kanë ndezur debat në rrjetet sociale, duke ngritur sërish pikëpyetje serioze mbi privatësinë, sigurinë digjitale dhe kontrollin që teknologjia ka mbi jetën tonë të përditshme.



