Miliarderi Elon Musk ka thënë në një takim me Larry Fink, shefi i fondit të Investimeve, Blackrock, se ‘është një alien’ dhe këtë ua thotë vazhdimisht njerëzve, “por askush nuk më beson” kishte thënë ai më tej teksa fliste në konferencën e Davosit.
Musk e nisi fjalën me shaka politike, duke iu referuar komenteve të Presidentit amerikan Donald Trump për ambicie territoriale, përpara se të përsëriste pretendimet e tij të zakonshme mbi jetën jashtëtokësore, duke thënë me ironi se “nëse dikush do ta dinte nëse ka alienë mes nesh, ai do të isha unë”.
“Një shpërthim ekonomik i paprecedentë”
Sipas Musk, përparimi i shpejtë në AI dhe robotikë do të sjellë një bum ekonomik historik. “Do të prodhojmë aq shumë robotë dhe sisteme AI saqë do të plotësohen plotësisht nevojat njerëzore,” tha ai, duke parashikuar se robotët do të jenë më të shumtë se njerëzit.
Ai njoftoi se robotët humanoidë Optimus të Tesla-s pritet të kryejnë detyra të thjeshta në fabrika deri në fund të këtij viti dhe punë industriale më komplekse brenda 12 muajve. Musk sugjeroi gjithashtu përdorimin e tyre në jetën e përditshme, nga kujdesi për fëmijët deri te kafshët shtëpiake, me kusht që të jenë plotësisht të sigurt.
AI më e zgjuar se njerëzimi
Musk parashikoi se deri në fund të vitit 2026, AI do të tejkalojë inteligjencën e çdo individi njerëzor dhe brenda pesë viteve do të kapërcejë inteligjencën kolektive të njerëzimit.
Ai foli edhe për zhvillimet në transport, duke theksuar se shërbimet robotaxi të Tesla-s tashmë janë funksionale në disa qytete amerikane dhe pritet të shtrihen në mbarë SHBA-në deri në fund të vitit. Sipas tij, kompania synon të marrë miratimin për tregun evropian muajin e ardhshëm, pa specifikuar vendet.
Plakja, një problem “i zgjidhshëm”
Në lidhje me jetëgjatësinë njerëzore, Musk u shpreh se plakja është “një problem shumë i zgjidhshëm”, duke shtuar se sapo të identifikohet shkaku themelor, zgjidhja do të bëhet e qartë për shkencëtarët.



