Inspektorët e administratës Tatimore kanë kryer këtë të martë kontrolle të paparalajmëruara në agjencitë imobiliare më të mëdha në vend, duke evidentuar punonjës të padeklaruar, paga jo reale, mungesë faturimi dhe evazion tatimor në shitjen e apartamenteve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se do të ketë zero tolerancë ndaj informalitetit në ndërtim, ndaj dhe aksioni do të vijojë pa kompromis, ndaj bën thirrje që të deklarohen pagat reale për të shmangur masat administrative dhe penale.
Kontrollet e para janë kryer në 9 agjenci imobiliare dhe në fokus të inspektorëve ka qenë verifikimi i deklarimit të pagave reale të punonjësve, regjistrimi i tyre në organin tatimor, realizimi i shitjeve dhe lëshimin e faturave fiskale.
Tatimet njoftojnë se ka evidentuar shkelje të rënda, si punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmime, mungesë fiskalizimi, dhe evazion të madh me deklarimin e shitjes së çmimeve të apartamenteve.
Bazuar në provat e mbledhura, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, strukturat e specializuara të AT-së kanë sekuestruar dhe kompjuterët e zyrave të këtyre agjencive, me qëllim hetimin e thelluar.
“Nga informacioni i marrë në njësitë kompjuterike rezulton se ka evazion tatimor në lidhje me çmimet e shitjeve të apartamenteve”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Tatimet bëjnë me dije se aksioni që sapo ka nisur, nuk është i përkohshëm dhe do të vijojë me seriozitet e vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesat e ardhshme, duke dëmtuar konkurrencën e ndershme, pensionet dhe interesin publik.
“Ftojmë të gjithë tatimpaguesit në fushë e ndërtimit të deklarojnë menjëherë pagat reale, për të shmangur masat administrative dhe penale, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për veprat e fshehjes së të ardhurave”, theksohet në njoftim.



