Eltar Dedaj hap gropën e Albpetrol, miliona euro nuk dihet ku kanë shkuar

spot_img
Advertisements

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të verifikimit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga auditimet e mëparshme të vitit 2023, ka audituar 10 subjekte publike, duke konstatuar një kontrast të fortë mes pranimit formal të rekomandimeve dhe zbatimit real të tyre. Nga 465 masa të pranuara, 98% janë pranuar në mënyrë formale, por vetëm 36% janë zbatuar plotësisht, ndërsa 24% rezultojnë ende të pazbatuara. Këto masa të pazbatuara kanë peshë të konsiderueshme financiare, veçanërisht në fushat e të ardhurave të munguara, shpërblimit të dëmit dhe përgjegjësisë disiplinore, duke nxjerrë në pah problematika serioze në ndjekjen efektive të rekomandimeve dhe në përgjegjshmërinë menaxheriale të subjekteve të audituara.

Në këtë kontekst, Albpetrol sh.a. evidentohet si një nga subjektet me risk të lartë financiar për shkak të moszbatimit të rekomandimeve me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Sipas gjetjeve të KLSH-së, shoqëria nuk ka ndërmarrë veprime ligjore për arkëtimin e rreth 1.2 miliardë lekëve nga shoqëria BPA LTD, detyrim i krijuar nga mospagesa e konsumit të energjisë elektrike dhe kamatëvonesat përkatëse, të cilat Albpetrol i ka paguar për llogari të FSHU sh.a.

Gjatë periudhës 2021–2022, kompania B…M nuk ka kryer pagesat për energjinë elektrike, duke sjellë maturimin e penaliteteve dhe kamatëvonesave në favor të Albpetrol sh.a. Patos. Në vitin 2022, Albpetrol ka ndërmarrë veprime administrative dhe ligjore, duke siguruar vendime gjykate si tituj ekzekutivë për faturat e papaguara, si dhe një titull ekzekutiv për faturën e penaliteteve. Megjithatë, KLSH konstaton se kamatëvonesat e llogaritura nga Albpetrol sipas Ligjit nr. 48/2014 janë ndjeshëm më të ulëta krahasuar me ato të aplikuara nga OSHEE sh.a. për faturat e papaguara të vetë Albpetrolit, duke sjellë një dëm ekonomik për shoqërinë. Konkretisht, Albpetrol ka kërkuar nga B…M kamatëvonesa në vlerën 175,458,324 lekë, ndërkohë që detyrimi i tij ndaj FSHU sh.a. për kamatëvonesa arrin në 1,356,345,939 lekë, çka evidenton një pabarazi të theksuar dhe një ekspozim financiar të konsiderueshëm.

Një tjetër rekomandim i rëndësishëm i pazbatuar lidhet me tërheqjen e naftës bruto që buron nga Marrëveshja Hidrokarbure. Sipas auditimit, për vitin 2021 detyrimi i shoqërisë “B…..” ndaj Albpetrol sh.a. Patos në naftë bruto, për llogari të P….., ishte 24,939.596 ton, ndërsa u tërhoqën vetëm 21,100.41 ton, duke krijuar një diferencë prej 3,839.186 ton më pak nga detyrimi. Situata është përkeqësuar në vitin 2022, ku nga një detyrim prej 29,884.163 tonësh, Albpetrol ka tërhequr vetëm 14,407.612 ton, duke lënë pa tërhequr 15,476.551 ton naftë bruto.

Në total, për periudhën nga data efektive e marrëveshjes deri më 31.12.2022, detyrimi në naftë bruto ndaj Albpetrol për PPE dhe PPA arrin në 78,915.002 ton, me vlerë 39,247,000 USD. KLSH konstaton se pamundësitë e depozitimit kanë sjellë ulje të drejtpërdrejtë të të ardhurave. Vetëm sasia 29,103.96 ton naftë bruto e patërhequr përfaqëson të ardhura të munguara në vlerën 14,476,000 USD, duke konfirmuar ndikimin e rëndë financiar të moszbatimit të rekomandimeve.

spot_img

Latest articles

Related articles