Gazetari Sokol Bregu thotë SPAK ka kuptuar që duhet t’i godasë grupet kriminale te paraja kesh dhe për këtë arsye ka nisur hetimin ndaj lojërave të fatit.
Duke folur për emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit në MCN TV, ai u shpreh se zbatimi i ligjit pengohet nga komisioni i dhënies së licencave, i cili drejtohet nga Gjergji Taho.
Sipas tij, kryetari i komisionit të dhënies së licencave të basteve, është dhe administratori i “Durana Tech Park”, si dhe ka dhe kompaninë më të madhe të lëvizjes së parave online.
Bregu shtoi se duke qenë se bastet janë online, do lëvizë paratë në Shqipëri, duke u shprehur se është konflikt i hapur interesi.
Sot grupet kriminale në Shqipëri të gjitha bashkë, në vitin më të keq që kur janë kujtuar japin 1 miliardë euro dhe në vitin më të mirë 2 miliardë euro. Më thuaj çfarë të bën krimi i organizuar, duke pasur nën kontroll bastet e paligjshme?
Hetimi i SPAK është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ka dalë ligji për bastet dhe nuk zbatohet ende. Kush e pengon? Komisioni i dhënies së licencave që vonon në çdo moment. Ky komision drejtohet nga Gjergji Taho.
SPAK duhet të godasë paranë e jashtëzakonshme që ndodhet te grupet kriminale. Rama politikisht mbaroi punë, dha verdiktin që bastet të jenë online. Nuk merret Rama me aktet ligjore. Janë të tjerë. Kryetari i komisionit të dhënies së licencave të basteve është dhe administratori i “Durana Tech Park”. Ka dhe kompaninë më të madhe të lëvizjes së parave online.
Bastet online janë online, do lëvizë paratë në Shqipëri. Është konflikt i hapur interesi. Konflikti i interesit ka të bëjë me kompaninë online të parave, atje do lëvizin paratë. Jo vetëm që e ka por kompaninë e ka bashkë me një nga drejtorët e akuzuar të dosjes “5D”. Të gjithë lidhjet e tij, tashmë po këputen.



