Pas një investigimi të përbashkët të emisionit italian Le Iene me gazetarët tanë, u bë i mundur denoncimi në SPAK dhe ndërhyrja e këtij të fundit bashkë me Byronë Kombëtare të Hetimit në një godinë në rrugën Myslym Shyri të përshtatur për zyra dhe aktivitete private. Ambientet e këtyre zyrave ishin përshtatur për një call center ku bëhej mashtrimi i shtetasve italianë nën mbulimin e investimeve në Forex Trading.
Skema funksiononte me një investim fillestar prej 250 eurosh, duke ju prezantuar klientëve të mashtruar një llogari të rreme prej 50 mijë eurosh. Për të tërhequr këtë të fundit qytetarët duhet të bënin transferta të njëpasnjëshme dhe duke shumëfishuar kësisoj shumën e zhvatur prej tyre.Në investigim është dokumentuar se grupi ndryshonte vazhdimisht vendndodhjen, emrin e kompanisë dhe kontaktet. Ne fillim quhej Prodata, ndërsa së fundmi në momentin e ndërhyrjes ishte INFINITE SHPK.Nje bashkëpunëtor i infiltruar i gazetarëve ka arritur madje të punojë për disa ditë në këtë call center duke dokumentuar gjithçka dhe duke nxjerrë informacione të rëndësishme që tregojnë se si funksiononte ky grup kriminal, i cili arrinte të përvetësonte deri në 20 milionë euro në muaj me anë të mashtrimit.Theksojmë se operacioni i ndërhyrjes në ambientet ku kryhej mashtrimi është dekonspiruar dhe të gjitha pajisjet tashmë ishin spastruar me urgjencë, duke lënë vetëm zyrat bosh dhe pikëpyetje mbi lidhjet e grupit kriminal.



