Emri i Belit, një punonjës i AKSHI-t me një të kaluar në administratën e burgjeve, ka dalë në dritë si një figurë kyçe në dy hetime paralele që po trondisin institucionet,. Beli rezulton i përfshirë si në qarkullimin e dokumenteve konfidenciale të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ashtu edhe në procedurat e debatuara të prokurimeve publike.
Sipas burimeve nga procesverbalet e marrjes në pyetje të datës 15 mars 2025, Beli ka dëshmuar se ka shërbyer si urë lidhëse për shpërndarjen e materialeve sensitive. Ai ka pranuar njohjen e hershme me shtetasin Zambak Gjoni që nga koha kur punonin në burgje. Ishte pikërisht Gjoni ai që i kishte dërguar Belit materiale të SPAK-ut që përmbanin informacione për figura të larta politike dhe publike, si Erjon Veliaj, Damian Gjiknuri, pronari i spitalit amerikan Klodian Allajbeu, si dhe fotografi të kallëpeve të floririt.
Beli ka pohuar se këto informacione nuk i mbajti për vete. Ai ia dërgoi materialin për Gjiknurin koleges së tij te AKSHI, Blerina Hoxhës, ndërsa dokumentet për Erjon Veliajn ia përcolli shtetasit Agim Ismaili. Para hetuesve, Beli u mbrojt duke deklaruar se “nuk u kishte kushtuar rëndësi” këtyre të dhënave dhe për këtë arsye nuk i kishte raportuar ato në Prokurorinë e Posaçme.
Megjithatë, roli i Belit shtrihet edhe në fushën e prokurimeve. Më 12 mars 2025, ai u caktua anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) për një tender me vlerë 46.8 milionë lekë. Objekti i tenderit ishte mirëmbajtja e sistemeve elektronike të vizitave dhe hyrje-daljeve në burgje (IEVP).
Hetimet e mëtejshme e kanë listuar këtë procedurë si pjesë të listës së tenderave të dyshimtë. Dyshohet se në këtë tender u përdorën kritere specifike, si certifikata CSP, për të krijuar avantazhe të padrejta dhe për të skualifikuar kompanitë që nuk ishin pjesë e marrëveshjes me një grup të strukturuar kriminal. Ndonëse morën pjesë disa kompani si “Soft & Solution” dhe “Fastech”, qëndrimi i Belit në këtë detyrë ishte i shkurtër; ai u zëvendësua më 11 prill 2025 nga Gilberta Selamaj.
Mcntv.al



