Balluku nuk heq dorë nga shkelja e ligjit, prapaskenat sekrete me 2 %

spot_img
Advertisements

Belinda Balluku është futur në mosmarrëveshjen mes dy ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës duke shkallmuar çdo ligj, çdo parim të shtetit të së drejtës dhe çdo rregull elementar të administrimit publik, duke marrë hapur anën e ortaku minoritar, Valon Ademit që ka 2% të aksioneve dhe duke përjashtuar në mënyrë arbitrare investitorin që zotëron shumicën dërrmuese të aksioneve , Behgjet Pacollin e Mabco me 98%, ai që ka financuar realisht ndërtimin e aeroportit, një ndër projektet më të mëdha strategjike në vend.

Ky fakt zbulohet nga një letër që kompania Mabco i ka drejtuar Belinda Ballukut, ku i ankohet për një episod që mban erë rrëmbimi institucional, ku përfaqësues të shtetit shqiptar rezultojnë të kenë legjitimuar, me veprime dhe me heshtje, përjashtimin e investitorit kryesor të projektit dhe njohjen de facto të një administrimi të kontestuar në gjykata.

Faksimile e letrës që Mabco i ka dërguar Belinda Ballukut ku i tregon për ndërhyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në aeroportin e Vlorës

Sipas një letre zyrtare të dërguar ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si edhe Kryeministrit Edi Rama, kompania MABCO Constructions SA, investitori që zotëron 98 për qind të aksioneve të shoqërisë Vlora International Airport dhe që ka investuar deri më sot rreth 80 milionë euro, denoncon se është përjashtuar në mënyrë arbitrare nga një mbledhje zyrtare e thirrur nga vetë Ministria e Infrastrukturës në kantierin e aeroportit.

Në letër, MABCO përshkruan ngjarjen si një akt të qëllimshëm dhe të koordinuar. Sipas saj, më 12 janar 2026, përfaqësuesit e saj janë paraqitur për të marrë pjesë në mbledhjen ku ishin thirrur Autoriteti i Aviacionit Civil, Albcontrol dhe përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës. Megjithatë, sapo ka mbërritur përfaqësuesi i MABCO-s, z. Fadil Neziri, atij i është bërë e qartë se nuk ishte i mirëpritur.

Berisha: Aeroporti i Vlorës, aferë korrupsioni, Arbër Abazi lidhje me Ballukun

Letra thotë tekstualisht se përfaqësuesit e MABCO-s “u penguan fizikisht për të marrë pjesë në mbledhje dhe u larguan nga ambientet ku ajo zhvillohej, me miratimin e heshtur dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”. Dokumenti shton se përjashtimi nuk ishte një keqkuptim, por një veprim i vetëdijshëm, i cili u realizua ndërkohë që në sallë u lejua të qëndronin përfaqësues të një ortaku minoritar, me vetëm 2 për qind të kuotave.

Në të njëjtën letër, MABCO përshkruan edhe një episod edhe më alarmant, që hedh dritë mbi mentalitetin me të cilin është trajtuar investitori kryesor. Konsulentit të certifikimit të aeroportit, z. Afrim Aziri, i është komunikuar se ai ishte “i padëshirueshëm”, jo për mungesë kompetence apo mandati, por sepse konsiderohej “njeri i MABCO-s”. Sipas dokumentit, atij i është ndaluar hyrja në mënyrë fizike në mbledhje, duke u përjashtuar për shkak të lidhjes profesionale me aksionerin mazhoritar të projektit.

Faksimile e letrës që Mabco i ka dërguar Belinda Ballukut ku i tregon për ndërhyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në aeroportin e Vlorës

MABCO thekson se ky veprim është absurd dhe i paligjshëm, pasi sipas kontratës koncesionare dhe dokumenteve themelore të shoqërisë, ajo mban përgjegjësi të plotë financiare dhe ligjore për projektin, përfshirë kolateralet bankare, kreditë dhe detyrimet ndaj palëve të treta. Në letër thuhet se “është e pakuptueshme dhe juridikisht e pajustifikueshme që Ministria e Infrastrukturës të zgjedhë të bashkëpunojë dhe të njohë vetëm një ortak me 2 për qind të kuotave, duke përjashtuar aksionerin me 98 për qind, i cili ka financuar dhe garantuar projektin”.

Dokumenti shkon edhe më tej, duke ngritur dyshimin se ajo që po ndodh është pjesë e një skeme për të krijuar fakte të kryera. Sipas MABCO-s, pala tjetër ka kërkuar edhe në rrugë gjyqësore përjashtimin e saj nga shoqëria Vlora International Airport, ndërkohë që paralelisht po përpiqet të marrë kontrollin faktik të projektit përmes njohjes institucionale nga ana e shtetit.

Letra paralajmëron se veprime të tilla “synojnë zhveshjen graduale të MABCO-s nga të drejtat e saj si aksioner mazhoritar dhe transferimin e kontrollit të aeroportit në mënyrë të paligjshme”, duke shtuar se një sjellje e tillë minon rëndë sigurinë juridike të investimeve strategjike në Shqipëri.

Faksimile e letrës që Mabco i ka dërguar Belinda Ballukut ku i tregon për ndërhyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në aeroportin e Vlorës

Në letrën e drejtuar Belinda Ballukut, MABCO e cilëson ngjarjen si një test serioz për shtetin shqiptar, duke theksuar se nuk mund të ketë as shtet ligjor dhe as investime serioze, nëse institucionet publike pranojnë që investitori kryesor të nxirret jashtë dere, ndërsa minoranca të imponohet si autoritet. Kompania njofton se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, administrative dhe penale, brenda dhe jashtë vendit, për të mbrojtur investimin e saj dhe për të denoncuar atë që e quan një kapje të hapur të projektit të Aeroportit të Vlorës.

Nyja Ademi – Balluku

Në këtë pikë, pyetja nuk është më kush ka të drejtë mes dy ortakëve, por kush po e përdor shtetin për të rrëmbyer një aeroport. Dhe kjo është një pyetje që nuk i takon më vetëm biznesit, por drejtësisë dhe opinionit publik.

Lidhjet e Belinda Ballukut me ortakun minoritar të Aeroportit të Vlorës ishin paralajmëruar edhe më herët, shumë përpara se konflikti i aksioneve të dilte hapur dhe projekti të bllokohej institucionalisht. Hetimet e SPAK mbi tenderat e Unazës së Madhe të Tiranës kanë nxjerrë në pah emrin e Arbër Abazi, pronar i kompanisë Alko-Impex General Construction, fituese e loteve të Unazës, përfshirë Lotin 7, në bashkim kompanish. Abazi rezulton të ketë lidhje familjare me Belinda Balluku, si bashkëjetues me vajzën e tezes së saj, ndërsa njëkohësisht është nip i ish-deputetit socialist Sadri Abazi.

Skema bëhet edhe më domethënëse kur shihet struktura reale e biznesit. Alko-Impex General Construction në Shqipëri është degë e një kompanie me të njëjtin emër të regjistruar në Kosovë, në pronësi të biznesmenit Imer Ademi. Arbër Abazi dhe Imer Ademi kontrollojnë së bashku edhe shoqërinë koncesionare Kukur Hydro Energy, ku Abazi figuron administrator, duke ndërtuar një ortakëri që prej vitesh ka përfituar fonde publike përmes tenderave që sot janë nën hetim penal.

Kjo zinxhir lidhjesh shkon një hap më tej, pasi Imer Ademi është babai i Valon Ademit, aksionerit minoritar me 2 për qind në Aeroportin e Vlorës, i cili po mban peng projektin me pretendimin për të kaluar nga 2 për qind në 49 për qind të aksioneve. Në këtë dritë, konflikti në aeroport shkon përtej Valon Ademit, si pjesë e një klani që arrin deri në nivelet më të larta të qeverisë.

Kjo është arsyeja pse po ushtrohet presion mbi një investim strategjik, duke e kthyer aeroportin në një betejë politike dhe institucionale, jo thjesht ekonomike.

Më poshtë letra e plotë e MABCO për Belinda Ballukun

E nderuar Znj. Balluku,

Shoqëria Mabco Construction SA (në vijim “Mabco”) ka marrë dijeni dhe denoncon zyrtarisht përjashtimin e saj nga mbledhja me përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (në vijim “MIE”), e mbajtur sot, më datë 12 janar 2026, në ambientet e “2A Group” në kantierin e projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ky është një akt tejet i rëndë, i paprecedentë dhe thellësisht shqetësues, i udhëhequr nga z. Valon Ademi dhe z. Vegim Hoxha. Këta individë po veprojnë në kundërshtim të hapur me ligjin, këtë herë, siç duket, të mbështetur edhe nga përfaqësuesit e MIE-s dhe institucioneve të tjera shtetërore si Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Albcontrol po ashtu të pranishëm në mbledhje. Për ngjarjen në fjalë, jemi informuar nga z. Fadil Neziri, me detyrë Drejtues i Projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës pranë Mabco-s dhe përfaqësues me prokurë i saj. Njoftimin përkatës e gjeni bashkëlidhur kësaj letre.

Rrethanat faktike të ngjarjes

Sipas informacioneve tona, administratori i emëruar në mënyrë të paligjshme i shoqërisë “Vlora International Airport” (në vijim “VIA”), z. Vegim Hoxha, ka njoftuar me email stafin e VIA-s për zhvillimin e një mbledhjeje me përfaqësuesit e MIE-s, duke kërkuar pjesëmarrjen e tyre, me përjashtim të z. Afrim Aziri, konsulent për certifikimin e aeroportit pranë VIA-s (lidhur me emërimin e paligjshëm të z. Hoxha, ju kemi njoftuar më parë përmes letrës drejtuar MIE-s më datë 15 Dhjetor 2025). Theksojmë se z. Aziri është një nga
punonjësit me përvojën më të gjatë dhe shumëdimensionale në fushën e aviacionit civil në
VIA.

Pasi mori dijeni se takimi lidhej me mbarëvajtjen e VIA-s, z. Afrim Aziri u paraqit në vendngjarje. Aty ishte i pranishëm edhe z. Valon Ademi, administrator dhe ortak i vetëm i “2A Group sh.p.k.” (në vijim “2A Group”). Në bashkëpunim me z. Vegim Hoxha, ata i kërkuan z. Aziri të bisedonin jashtë ambienteve të mbledhjes, ku e njoftuan se ishte i “padëshirueshëm” pasi konsiderohej si “njeri i Mabco-s”. Më pas, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme, e kanë penguar atë fizikisht të marrë pjesë në takim. Pas njoftimit për ngjarjen sa më lart, Drejtori i Projektit për Mabco, z. Fadil Neziri, u paraqit në vendin e takimit dhe kërkoi të merrte pjesë, duke kujtuar se Mabco është ortaku që zotëron 98% të kuotave të kapitalit të VIA-s. Pavarësisht se z. Neziri informoi përfaqësuesit e MIE-s për cilësinë e tij dhe posedimin e prokurës së përfaqësimit të Mabco-s, z. Ademi dhe z. Hoxha e larguan atë fizikisht nga vendi i mbledhjes. Kjo ndodhi me miratimin e heshtur
dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të MIE-s dhe institucioneve të tjera që ishin të pranishëm. Duke mos ndërhyrë, këta zyrtarë i mohuan Mabco-s të drejtën elementare për t’u informuar mbi një projekt ku ka investuar deri më tani 80 milionë euro si dhe për të koordinuar .

Të drejtat e Mabco-s dhe njëanshmëria e treguar nga MIE

Pjesëmarrja e Mabco-s në çdo takim që lidhet me mbarëvajtjen e VIA-s nuk është vetëm e drejtë ligjore, por edhe një detyrim. Sipas Kontratës së Koncesionit, Mabco mban përgjegjësi solidare për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale së bashku me VIA-n dhe 2A Group. Për më tepër, financimet e projektit mbështeten ekskluzivisht mbi kolateralet dhe asetet e Mabco-s (kredia pranë BKT), duke e bërë shoqërinë tonë të jetë veçanërisht e ekspozuar ndaj dëmit që do i shkaktohet eventualisht për çdo dështim financiar të projektit.
Fakti që takimi u zhvillua në zyrat e 2A Group në kantier tregon që në fillim se përfaqësuesit e MIE-s kishin një qëllim të paracaktuar: të komunikonin në mënyrë të njëanshme me ortakun e minorancës (2%), duke përjashtuar qëllimisht dhe në keqbesim ortakun mazhoritar (98%). Theksojmë se Mabco nuk është njoftuar as nga MIE dhe as nga administratori i paligjshëm z. Vegim Hoxha për mbajtjen e një takimi të tillë ndërkohë që qartësisht z.Ademi dhe 2A Group jo vetëm ishin të pranishëm, por dhe “bënin ligjin” në një
mbledhje të thirrur nga MIE!!!

Si është e mundur që MIE pranon dhe ndjek udhëzimet e ortakut me 2% të VIA-s dhe nuk kanë pranon, së paku formalisht, të trajtojë ortakun me 98% të kuotave në të njëjtin standard si ortakun e minorancës, duke i mohuar të drejtën për të marrë pjesë në mbledhje? Si është e mundur që Mabco nuk trajtohet si partneri kryesor dhe themeltar i këtij projekti të rëndësisë kombëtare por lihet i painformuar dhe mënjanohet në mënyrë aktive? Si është e mundur që MIE dhe autoritet e tjera të pranishme në mbledhje as nuk shkuan fare të interesohen dhe të informohen pranë zyrave të Mabco njësoj siç e morën informacionin burimor nga 2A Group?! Është absurde dhe skandaloze që MIE, e cila duhet të garantojë interesin publik dhe ligjshmërinë, ndjek udhëzimet e një ortaku me 2% të kuotave në shkelje të ligjit dhe Kontratës së Koncesionit. Kujtojmë se MIE është plotësisht në dijeni të situatës së pronësisë,  pasi asnjë transferim kuotash nuk mund të kryhet pa miratimin e saj. Por, edhe sikur pretendimet e 2A Group për pronësi kuotash përtej 2%-shit të ishin hipotetikisht të rregullta e të ligjshme, Mabco do të mbetej gjithsesi ortak shumicë me 51%, çka e bën edhe më të pakuptimtë dhe skandaloz aktin e MIE dhe përfaqësuesve të saj! Mabco shpreson shumë MIE nuk po ndjek qorrazi apo dhe më keq mbështet në mënyrë aktive veprimtarinë e qëllimshme dhe të dirigjuar nga 2A Group dhe administratori i paligjshëm i VIA e cila qartësisht synon atë që i kanë kërkuar dhe formalisht gjykatës – krijimin e kushteve për përjashtimin e Mabco-s nga projekti dhe nga VIA.

Kërkesat tona

Mabco shpreh indinjatën më të thellë ndaj kësaj sjelljeje të njëanshme të MIE-s, e cila
ka dështuar të veprojë me paanësi dhe profesionalizëm. Në këto kushte, kërkojmë:
1. 2. Rivendosjen e marrëdhënieve të drejta dhe transparente në përputhje me ligjin dhe Kontratën e Koncesionit. Përsëritjen e mbledhjes në mënyrë zyrtare, ku Mabco të njoftohet rregullisht dhe të garantohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të saj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh problemet urgjente teknike dhe operative që janë shkaktuar nga veprimet dhe mosveprimet e 2A Group, të cilat pengojnë Mabco-n në realizimin e punimeve për të cilat është përgjegjëse në bazë të kontratës së punimeve qe ka me VIA-n.

Në mbyllje, ritheksojmë se Mabco po investon dhe është e vendosur të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë (administrativë, civilë dhe penalë) për të mbrojtur investimin e saj dhe interesin publik, pa u zmbrapsur nga asnjë veprim arbitrar. Duke ju falënderuar për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje urgjente, mbetemi në pritje të një reagimi zyrtar.

Me respekt,

MABCO CONSTRUCTIONS SA

spot_img

Latest articles

Related articles