Mediat raportojnë se pak para festave të fundvitit, BKH ushtroi kontroll në ambientet e laboratorëve Genius LAB, një veprim që shënon kalimin e hetimeve nga faza e vëzhgimit në ndërhyrje konkrete dhe që vendos drejtpërdrejt nën presion Besnik Çullhajn, përfituesin kryesor të tenderave të shëndetësisë gjatë pandemisë kur institucioni drejtohej nga ish-ministrja Ogerta Manastirliu.
Duket se, sipas mediave, ky kontroll nuk erdhi si procedurë rutinë, por si pasojë e grumbullimit të të dhënave mbi mënyrën se si kompania Genius shpk ka thithur fonde publike përmes qindra tenderave, në një periudhë kur shëndetësia funksiononte nën regjim emergjence dhe kontrolli mbi procedurat ishte praktikisht i paralizuar.
Sipas informacioneve mediatike, ndërhyrja e BKH-së te Genius LAB ka shkaktuar reagim të menjëhershëm te drejtuesit e kompanisë, të cilët kanë nisur të zhdukin pajisje, telefonë dhe materiale të ndjeshme.
Hetimi që po zhvillon SPAK nuk synon më të ndalojë te operatorët privatë, por po ngjitet në nivelin ku është marrë vendimi politik, sepse pa firmat, mbrojtjen dhe orientimin e Ogerta Manastirliut, skema e laboratorëve nuk do të kishte funksionuar, nuk do të ishte zgjeruar gjatë pandemisë dhe nuk do të kishte prodhuar pasuri të përmasave që sot po verifikohen.
Nga pandemia e COVID-19 e tutje, Genius shpk e Besnik Çullhajt u shndërrua në përfitues sistematik të fondeve publike, duke marrë rreth 270 tendera nga degët e Ministrisë së Shëndetësisë, shumica pa garë reale, shumica me procedura formale dhe shumica me vlerë sa fondi limit, ndërkohë që të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë 537 pagesa me vlerë mbi 384 milionë lekë, pagesa që nuk do të ishin të mundura pa një mbrojtje politike të fortë dhe të qëndrueshme.



