Ideja për ndërtimin e zonave të lira ekonomike është hedhur vite më parë.
Çfarë janë ato?
Ky model është përdorur gjerësisht në të gjithë globin, për të ofruar hapësira ku vendosen korporata të mëdha që kryejnë miliarda euro investime e punësojnë qindra mijë njerëz.
Kompanitë nuk shesin në tregun e shtetit që janë vendosur, të gjithë shërbimet e tyre eksportohen, por sjellin një vlerë të shtuar në ekonomi për shkak të punësimit dhe kapitalit që injektojnë.
Vende të tilla nuk janë të pakta, madje disa kanë arritur që të transformojnë tërësisht strukturën dhe potencialet ekonomike të disa shteteve.
Silicon Valley në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një zonë e lirë, e cila ka të vendosura kompanitë të mëdha dhe strat up-e që operojnë në fushën e teknologjisë. Singapori është bërë një nga shtetet më të zhvilluara në Azi për shkak të ofrimit të zonave pa taksa për shoqëritë në fushën e prodhimit inovativ dhe teknologjik.
Ky model është përdorur në retorikën politike për shumë vite nga qeveritë që kanë drejtuar Shqipërinë. Sali Berisha kishte adoptuar një nisëm të ngjashme në vitin 1996. Më vonë në periudhën e viteve 2005-2013 mori nisma të tjera, si Shqipëria 1 euro për të afruar investime në këmbim të benefiteve të përfitimit të tokës publike kompanive që investonin në fushën e industrisë. Madje në vitin 2007 u miratua një ligj i posaçëm zonat e lira ekonomike, por që nuk pati rezultate konkrete në thithjen e investitorëve të huaj.
Një pjesë e programit ekonomik të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2025 ishte zhvillimi i zonave të lira ekonomike të shtrira në katër qarqe të vendit për afruar investime e për të nxitur punësimin.
Edhe qeveria socialiste në vitin 2000, miratoi një ligj të saj për Zonat e Lira Ekonomike. Synimi ishte zhvillimi i disa rajoneve të vendit për t’i përshtatur si vende që thithin investitorë të huaj, marrin trajtime në pronë publike dhe përfitojnë përjashtime nga tvsh dhe tatimi mbi fitimin. Edhe kjo nisëm mbeti vetëm në letër, njësoj si iniciativat e qeverisë së demokratëve që pasuan tetë vite më pas.
Pas ardhjes sërish në pushtet, socialistët ndryshuan ligjin për zonat ekonomike të lira dhe futën në 2015-n konceptin e zonave teknologjike. Ligji i ri ofronte jo vetëm lehetësira në taksa por edhe në procedura.
Iniciativat për ndërtimin e zonave të lira ekonomike ndër vite kishin dështuar, ndaj përmes një studimi të ri, u përzgjodhën 3 pika në hartën e Shqipërisë të cilat mendohej se do të tërhiqnin kompani ndërkombëtare.
Spitalla në Durrës, Vlora dhe zona e Koplikut në Shkodër.
Në fund, ankandi i vetëm që u zhvillua ishte ai i Spitallës. Në njoftimet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thuhej se interesi ishte i madh nga firma me reputacion ndërkombëtar, ndërsa oferta finale ishte ajo e një kompanie kineze që do të investonte 2 miliard dollarë dhe do të punësonte mijëra njerëz.
Ministria priti për muaj që të takonte investitorët, por askush nuk u duk. Adresa ku kërkuan rezultoi të ishte thjesht një kuti postare, ndaj dhe gara u shpall sërish.
Këtë herë interes për të zhvilluar zonën ekonomike shfaqën dy kompani vendase: konsorciumi Pelikani SHPK, Vellezerit Hysa dhe Best Construction dhe Edil Al.
Në fund, ministria e Ekonomisë ka shpallur fitues konsorciumin Pelikani SHPK, Vellezerit Hysa dhe Best Construction.
Procedura u gjet me shkelje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili kërkoi anulimin e procedurës dhe ndjekjen penale për anëtarët e Komisionit të Vlerësimti të Ofertave dhe deri te instancat më të larta drejtuese të ministrisë.
Njëkohësisht me Spitallën, në nëntor të vitit 2024, Komiteti i Investimeve Strategjike ka dhënë statusin investitor strategjik me për kompaninë Vertigo shpk në pronësi të Filip Xharrës. Sipërmarrësi propozoi investimin e 15.6 milion eurove me efekt punësimin e 500 punonjësve nëse merrte statusin për të operuar në një zonë të lirë ekonomike dhe industriale në Xhafzotaj të vendosur në tokën në pronësi të tij prej 13.5 hektarësh.
Teda është një tjetër zonë ekonomike dhe industriale. Kompania është në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe është duke ndërtuar një park të shtrirë në një hapësirë prej 35 hektarësh në Kashar. Projekti synon të afrojë kompani në fushën e industrisë automtive, teknologjisë së informacionit, elektronikës, bioteknologjisë dhe teknologjistikës. është një projekt që mbështetet nga Bashkimi Europian dhe po zhvillohet nga Bashkia Tiranë.
Zona do të operojë si një territor më vete sa i takon regjimit doganor dhe fiskal dhe kompanitë që do të operojnë aty do të përfitojnë përjashtim nga tvsh, norma e tatim fitimit do të jetë e reduktuar në 7.5% dhe investitorët përjashtohen nga taksa mbi pasurinë. Lehtësi ofrohen dhe për shpenzimet e punonjësve ku 150% e tyre konsiderohen të zbritshme për efekt tatimi.
Pas këtij projekti, prezantohet Durana Tech Park.
Edhe Durana një tjetër zonë e lirë ekonomike e vendosur në një sipërfaqe disa kilometra larg Tedës dhe në afërsi të projektit Vertigo.
Sot Shqipëria ka 3 zona të lira, por asnjëra nuk ka përfunduar fizikisht. Për Spitallën nuk ka asnjë rezultat konkret në ndikimin ekonomik që ka dhënë, Teda është ende në fazë investimi ndërsa Durana Tech Park ka nisur operimin, por në mënyrë virtuale. Efektet që po jep në ekonomi ky projekt, janë humbja e parave të buxhetit nga përjashtimi nga taksat i kompanive që kanë marrë leje të operojnë aty në mënyrë virtuale-sepse parku ndodhet vetëm në letra.
Ky ishte slogani i zonës së lirë teknologjike Durana.
Por si nisi ky projekt, çfarë qëllimesh prezantoi dhe si po operon sot?
Premtimi ishte që Durana do të krijohej si një model i ngjashëm me atë të Sillicon Valley, sot duket si një zonë offshore, që i përdoret vetë, zyra për të përfituar benefite një rreth i caktuar kompanish të lidhur me pushtetin, paranë dhe krimin.
Në vitin 2022, Kuvendi i Shqipërisë miraton Ligjin për Krijmin, Organizimin dhe Funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore. Qëllimi ishte nxitja e zhvillimit të inovacionit në teknologji, duke marrë si model orientimin e ekonomive më produktive, të cilat nuk po mbështeten më te burimet natyrore.
Ligji ofron lehtësi fiskale dhe proceduriale për kompanitë që vendosen në park. Parimi është ky: afrimi i firmave ndërkombëtare të prodhojnë teknologji të lartë, duke i përjashtuar nga taksat, por duke gjeneruar punësim. Këto modele që janë aplikuar gjerësisht në vendet e zhvilluara për kompani që kanë treg ndërkombëtar dhe jo lokal, e ku nuk deformohet konkurrenca.
Kompanitë që marrin këtë autorizim përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar për mallrat me të cilat furnizohen, për 15 vjet nuk paguajnë tatim mbi fitimin, pagat e personelit do të përjashtohen nga tatimet për një periudhë 10 vjeçare dhe përjashtohen edhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa të tjera mbi pasuritë e paluajtshme. Kushti që kompanitë të vendosen në park është fusha e veprimit të tyre në teknologji informative, inovacion, dizanj dhe programim. Ligji nuk kufizon vlera investimi, nuk kushtëzon madhësinë e kompanisë në bazë të kapitalit që ka dhe as nuk kërkon si kriter të ketë një numër të caktuar punonjësish. Megjithatë ligji ndalon transferimin e një veprimtarie biznesi ekzistues në territorin shqiptar në park, me qëllim ndalimin e përfitimit të lehtësive nga kompani që nuk kanë si qëllim investimin, por përfitimin nga përjashtimet tatimore.
Shtysa për marrjen e iniciativës ligjore për krijimin e parqeve industriale, ishte interesi që shfaqi kompania amerikane Epam, e vendosur prej vitesh në Ukrainë për të prodhuar pajisje teknologjike. Firma po shqyrtonte mundësinë e ndryshimit të vendndodhjes për shkak të luftës që nisi mes Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2022, por pavarësisht bisedimeve të saj me qeverinë shqiptare dhe pritjeve për disa vjet, parku nuk u ndërtua ndonjëherë dhe plani për të vendosur zyrat këtu u anulua.
Këto janë pamjet e parkut sot. Një tokë e djerrë, pa asnjë rrethim e asnjë kapanon.
Parku ka prodhuar vetëm letra: ligjin dhe disa vendime të Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të Korporatës së Investimeve 150 mijë metra katrorë tokë të Radio Televizionit Publik Shqiptar në zonën e Xhafzotajt, Durrës, një tjetër për planin e zhvillimit të zonës dhe një për mënyrën e operimit të parkut.
Me menaxhimin e tij është marrë drejtpërdrejt Korporata Shqiptare e Investimeve – një kompani publike e cila merret me administrimin dhe zhvillimin e tokave publike.
Korporata ka krijuar një tjetër kompani: Durana Tech Park dhe ka emëruar dy administratorë, Florenca Haxhi dhe Gjergji Taho për të administruar parkun. Si Korporata edhe kompania Durana kanë një bord, të cilët marrin pagesa nga fondet që i ka kaluar Korporatës së Investimeve Ministria e Financave dikur dhe sot ajo e Ekonomisë në formë kapitali. Kapitali i parkut Durana është aktualisht 500 mijë euro.
Por park nuk ka. Ai është vetëm virtual.
Kronos ka siguruar një listë me emrat e 46 kompanive të cilat kanë marrë autorizimin për të operuar në këtë zonë dhe prej vitit 2025 po përfitojnë nga lehtësitë fiskale.
Të gjitha kompanitë janë krijuar vitin e shkuar, kanë kapital modest dhe nuk dihet numri real i të punësuarve.
Shoqëritë që përfitojnë nga këto përjashtime në taksa janë shumica shqiptare, duke rrëzuar qëllimin e krijimit të parkut, për të thithur investime të huaja.
Firmat që kanë marrë autorizime janë kompani që thuajse të gjithë të ardhurat i marrin nga tenderat publikë që përfitojnë pranë Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit apo ente të tjera publike.
Ergys Agasi, personazhi kontrovers në kërkim nga Prokuroria e Posaçme për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal i cili dyshohet se fshihet pas manipulimit të 19 procedurave të prokurimit pranë AKSHI-t, për të cilat ka urdhëruar dhe pengmarrjen e një biznesmeni, rezulton të jetë një nga përfituesit kryesorë të autorizimeve në parkun industrial Durana.
Agasi ka marrë autorizim për kompaninë Test&Tech, ku rezulton pronar me 100% të aksioneve dhe administratorë në kompani të tjera të Agasit rezultojnë të kenë kompani që kanë licencë për të operuar pa taksa në këtë park.
Grupi i dytë përfitues më i madh është ai i kompanive dhe rrjetit të influencës që ka Ermal Beqiri. Beqiri është në kërkim nga SPAK si anëtar i grupit kriminal të Agasit, por gjatë kohës që ka qenë nën hetim, kjo nuk e ka penguar Korporatën e Investimeve dhe dy administratorët e Durana Tech Park, t’i japin autorizim për të operuar pa taksa, pa sjellë asnjë kontribut apo vlerë të shtuar në ekonomi.
Grupi i tretë janë kompanitë që përfitonin tendera nga AKSHI apo ata që ishin anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë këtij institucioni. Gëzim Hoxha dhe Arjola Koromani kanë krijuar kompani që kanë marrë autorizime në zonën industriale Durana. I gjithë ky grup lidhet me përfituesit e fondeve publike që ka nën hetim SPAK për tenderat në fushën e teknologjisë së informacionit.
Sipas hetimeve, këta persona në 19 procedura të hetuara të nga Prokuroria e Posaçme, kanë përfituar 59 milion euro fonde publike, ku 29 milion euro kanë përfunduar te kompania EA Solution e Ergys Agasit. Soft &Solution dhe Horizon e Ermal Beqirit, rezultuan me një fitim 11 milion euro për vitin 2024.
E gjithë filozofia e operimit në distancë në parkun e Xhafzotaj ishte kjo: fito para publike dhe mos derdh asnjë para në buxhet si kontribut në taksa.
Një tjetër kategori që ka përfituar nga këto autorizime janë ato të personave që kanë të drejta koncesionare dhe licenca publike, si disa kompani të Renis Tershanës, firma Info Soft, apo shoqëria Kudon, ku aksionere është dhe vajza e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa sipërmarrje të tjera që janë vendosur në parkun virtual janë kompani që rezultojnë të regjistruara në zona me juridiksione offshore që ruajnë anonimatin e pronarit.
Norma e tatimit për kompanitë në fushën e prodhimeve të teknologjisë së informacionit ka qënë e reduktuar nga 15 në 5% me qëllim nxitjen e inovacionit. Në fakt, i vetmi inovacion që kjo nisëm nxiti ishte zgjerimi i fondeve që buxheti i shtetit jepte për Agjencinë e Informacionit që të zhvillonte tendera. Fondi Monetar Ndëkrombëtar kërkoi për disa vite me radhë heqjen e këtij përjashtimi.
Viti 2025 ishte i fundit që ofronte taksa 5% nga për sektorin e IT. Për këtë arsye këto kompani arritën të gjejnë një shteg: këtë herë me taksë zero dhe me tvsh 0.
Përjashtimi i këtyre shoqërive nga tatimi mbi vlerën e shtuar, u jep kompanive që kanë këtë autorizim avantazhesh edhe në tregun privat, jo vetëm në atë publik. Kosto e produkteve që ato ofrojnë do të jetë më e lirë dhe në një situatë të tillë, konkurrentët ose do të detyrohen të blejnë mallrat e shërbimet e tyre, ose do të shesin me çmime më të shtrenjta dhe do të humbin klientelë.
Të gjithë autorizimet lejojnë që kompanitë ofrojnë shërbime dhe të operojnë në selitë që kanë në qytete të tjera dhe jo fizikisht në park. Adresa e parkut shërben vetëm si truk ligjor për të përfituar benefite.
Koncepti i parkut virtual bie ndesh me Kodin Doganor, Ligjin për Krijimin, Organizimin dhe Funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore dhe vendimeve zbatuese të tij.
“Parku industrial” sipas ligjit nuk është entitet juridik abstrakt apo platformë ekonomike digjitale, por një territor fizik mbi të cilin vendosen rregulla të veçanta doganore e fiskale.
Veprimtaria e tij duhet të zhvillohet në territorin e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe veprimtaria e subjekteve duhet të fillojë pasi të vendoset pika doganore.
Ky regjim krijon vështirësi për administratën doganore për të kontrolluar mallrat dhe për të bërë verifikimin e hyrje-daljeve dhe le hapësira për sjellje abuzive të kompanive që kanë këtë status, por i hap rrugë dhe pastrimit të kapitaleve me origjinë të dyshimtë duke eliminuar kontrollet dhe duke i ofruar përjashtime nga taksat.



