Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit.
Sot nuk festojmë thjesht një përvjetor, por nderojmë një histori, një mision, një institucion që prej 113 vitesh qëndron në këmbë përballë sfidave.
13 janari është një datë historike dhe jetike për vendin tonë, sepse pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme.
Kjo e vërtetë e thjeshtë ka udhëhequr për 113 vite misionin e Policisë së Shtetit shqiptar, që nga dita kur plaku i mençur Ismail Qemali, Kryeministri i kohës, vendosi për krijimin e Policisë, e cila përgjatë gjithë rrugëtimit të saj ka qenë dhe mbetet gur themeli i rendit, ligjit dhe stabilitetit shoqëror, por edhe simbol i bashkimit kombëtar. Mjafton të përmendim faktin se drejtuesi i parë i Policisë shqiptare ka qenë Halim Bej Gostivari, nga Gjakova.
Organizata jonë ka ecur krah për krah me historinë e vendit, ka përballuar sfida të mëdha, tranzicione të vështira dhe momente vendimtare, duke ruajtur gjithmonë misionin e saj, mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve.
Rrugëtimi i saj është një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi, ku çdo uniformë flet për një detyrë, çdo emblemë për një frymë dhe çdo veprim për një premtim të patundur ndaj shoqërisë.
Gjatë këtyre 113 viteve, 231 punonjës policie, 231 Dëshmorë, më të mirët prej nesh, dhanë gjithçka, duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik, për të mbrojtur qytetarët dhe ligjin.
Akti i tyre sublim krijoi bazamentin mbi të cilin ndërtohet besimi, forca morale dhe identiteti ynë institucional.
Sot e përjetë, ata janë motivi i misionit tonë, krenaria e Policisë dhe e gjithë shoqërisë. Emri i tyre është i skalitur në historinë e kombit.
Në këtë rrugëtim 113-vjeçar kanë kontribuar gjenerata të tëra dhe sot shprehim mirënjohjen tonë për veteranët e Policisë, për kontributin dhe trashëgiminë që kanë lënë ndër breza.
Ata janë thesari i përvojës, burim frymëzimi dhe shembull i profesionalizmit për brezat e rinj të Policisë, të cilët na kujtojnë se Policia është një mision i shenjtë, në themel të të cilit qëndron përkushtimi i palëkundur dhe guximi deri në vetëmohim, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe për të garantuar sundimin e ligjit.
Viti që lamë pas tregoi fuqinë dhe vendosmërinë tonë, operacione të suksesshme kundër grupeve kriminale, luftë të pandërprerë ndaj kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, zbardhje të ngjarjeve kriminale, ulje të kriminalitetit, përballim të suksesshëm të sezonit turistik dhe të aktiviteteve me famë ndërkombëtare, si dhe zhvillim të Akademisë së Sigurisë si një qendër moderne dhe konkurruese për të rinjtë.
Të gjitha këto janë dëshmi se Policia e Shtetit nuk stepet, nuk thyhet dhe nuk ndalon kurrë. Ajo zhvillohet, trajnohet dhe punon çdo ditë më mirë, për qytetarin dhe ligjin.
Përpos kësaj, organizata jonë nuk është perfekte, ashtu si dhe ne nuk jemi të tillë. Të gjithë ne jemi në sfidë të përditshme, sfidë me veten, sfidë me standardet, sfidë me pritshmëritë, për të mësuar nga gabimet dhe për t’u përmirësuar.
Mos harroni, të dashur kolegë, sakrificën tuaj të përditshme, ju jeni aty kur asnjë tjetër nuk është, në diell, në shi, në dëborë. Ju jeni telefonata e parë për çdo problem. Jeni modestë në misionin tuaj, por gjithmonë prezentë.
Çdo operacion, çdo mision dhe çdo angazhim është provë se ligji nuk është thjesht një normë, por një realitet i prekshëm për qytetarët.
Rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë janë baza e suksesit tonë.
Policia e Shtetit është tashmë një partner i besueshëm dhe i barabartë, e angazhuar në skuadra hetimore dhe operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe krimeve globale, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe më gjerë.
Profesionalizmi dhe besueshmëria e Policisë së Shtetit, përgjatë vitit 2025, u vlerësuan me çmime dhe tituj nga partnerët ndërkombëtarë.
Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për ne, nëpërmjet sulmeve dhe përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që sakrifikojnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme.
Të nderuar kolegë,
Kjo ditë nuk është vetëm festë. Është kujtesë e përgjegjësisë që mbajmë mbi supe dhe reflektim për misionin tonë.
Sjellja etike, humanizmi, angazhimi dhe sakrifica juaj është baza e besimit të qytetarëve për një shoqëri më të sigurt. Vetëm me profesionalizëm, integritet dhe bashkëpunim do ta bëjmë Policinë e Shtetit çdo ditë më të besueshme dhe më të fortë.
Të nderuar qytetarë, Policia e Shtetit është e juaja. Besoni në sakrificën dhe punën tonë!
Gëzuar 113-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar!
Nderim për çdo punonjës policie që shërben me përkushtim dhe dinjitet!
Mirënjohje familjeve të dëshmorëve dhe qytetarëve, për mbështetjen dhe besimin!
Lavdi Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, lavdi Dëshmorëve të Atdheut!
Faleminderit!


