Donald Trump nuk shkon në Davos për t’u integruar me elitën globale. Shkon për ta sfiduar atë në terrenin e saj. Dhe fakti që merr me vete katër njerëzit kryesorë të pushtetit real amerikan nuk është detaj protokollar, por deklaratë politike e menduar deri në fund.
Trump e di se Forumi Ekonomik Botëror i Davosit nuk është vend ku ndryshohen ideologjitë, por ku maten raportet reale të fuqisë. Prandaj ai nuk shfaqet me diplomatë ceremonialë, por me arkitektët e katër fushave ku, sipas tij, përcaktohet rendi botëror: financa, tregtia, energjia dhe negociata direkte.
Katër emra që përfaqësojnë katër shtylla të doktrinës Trump
Scott Bessent është figura e financës dhe e arkitekturës monetare. Ai përfaqëson Amerikën që nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pesha e dollarit dhe nga kontrolli mbi sistemin financiar global. Në Davos, Bessent nuk shkon për të dëgjuar debate mbi multipolaritetin, por për të kujtuar se pa SHBA-në, sistemi financiar global mbetet i brishtë.
Howard Lutnick përfaqëson tregtinë si instrument pushteti. Ai mishëron filozofinë e Trumpit se globalizimi ka qenë i padrejtë për industrinë amerikane dhe se tregtia nuk është doktrinë morale, por mjet presioni. Në Davos, Lutnick është zëri i Amerikës që negocion ashpër dhe nuk kërkon falje për proteksionizmin strategjik.
Chris Wright është simboli i doktrinës energjetike të Trumpit. Energjia nuk trajtohet si çështje etike apo klimaterike, por si bazë e sovranitetit dhe ndikimit gjeopolitik. Wright përfaqëson Amerikën që prodhon, shet dhe përdor energjinë si levë politike, pa u ndalur në gjuhën e fajit klimatik.
Jamieson Greer mishëron braktisjen e multilateralizmit klasik. Ai është arkitekti i marrëveshjeve bilaterale, aty ku fuqia amerikane shfaqet drejtpërdrejt dhe pa filtra institucionalë. Greer përfaqëson idenë se rendi i ri ndërtohet në tavolina të vogla negociimi, jo në sallone shumëpalëshe.


