Analisti Mustafa Nano duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv e konsideroi një “ëndërr në diell” kërkesën e PD-së për një qeveri teknike.
Nano nuk beson se kemi të bëjmë me një kthesë të Sali Berishës në raport me drejtësinë, dhe e cilëson absurde deklaratat e një personi që është nën akuzë nga SPAK. Sipas tij deklaratat e kryedemokratit po bëhen në një kohë kur ai po humbet mbështetjen dhe është në presion nga brenda partisë.
Duke folur për mbështetjen e SHBA-ve për SPAK-un, Nano tha:
“Janë të gjitha gjasat që kjo influencë (amerikane) të jetë reale. Ka sinjale që ai institucion nuk komandohet nga faktorë lokalë. Ata njerëz ose i komandon ndërgjegjja profesionale, ose ata që hyjnë e dalin aty, siç është e ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane. Marrëdhëniet e Ramës me amerikanët janë prishur në një masë të caktuar. Unë do doja që kryeministri të kishte fuqinë t’i thoshte diplomatëve amerikanë që hynë e dalin te SPAK-u si në shtëpinë e vet: Kjo që bëni është anormale, nuk ka kuptim. Mirëpo këtë mund t’ua thotë një kryeministër i lirë dhe jo i trembur, dhe që nuk ka frikë se ‘Amerika’ i zemërohet. Rama nuk është i tillë.”


