Erion Piciri
Rumania ishte ndër vendet e para ish-komuniste, që në fillimin e viteve 2000 krijoi një prokurori speciale anti-korrupsion dhe dënoi një sërë figurash të larta politike, në rang ministrash, krerësh qeverie dhe institucionesh të tjera publike. Ndër ata që vuajtën dënimin për evazion fiskal dhe pastrim parash ishte edhe ish-zv/kryeministri Gheorghe Copos. Në kohën e vuajtjes së dënimit të tij, ligji penal rumun parashikonte një ulje dënimi 30 ditor, për çdo publikim shkencor, veçanërisht për të burgosurit e dënuar për akte korruptive. Kjo ishte një masë për t’i dhënë mundësi të dënuarve të rehabilitoheshin përmes dobishmërinë sociale dhe shtetit për të inkurajuar rikthimin e tyre në jetën shoqërore. Kështu i dënuari Gheorghe Copos publikoi 5 libra për 1 vit e gjysmë dhe e uli dënimin me 5 muaj. Në njërin prej librave me titull: Aleancat martesore si politikë e mbretërve rumunë në shekujt XIV-XVI, duket se ‘autori’ kishte shkuar larg duke u kthyer në një historian të vërtetë, ndonëse orientimin e jetës e kishte nga biznesi dhe fitimi i lekut. Për këtë, historiani Catalin Parfene, cituar nga The Guardian do të shprehej se libri i Copos kishte strukturën, argumentimin, ide, shprehje dhe pasazhe identike me një punimin e tij të hershëm[1]. Po ashtu, George Becali, një bari i kthyer në biznesmen dhe më pas në politikan, kryetar partie dhe europarlamentar, i dënuar për dhënie ryshfeti, botoi pesë libra në dy vite[2]. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, mbi 180 të burgosur publikuan 415 libra, për të përfituar uljen e dënimit[3]. Kishte shpërthyer intelektualiteti i një sërë delikuentësh të cilët nuk kishin pasur afërsi me librin në jetën e tyre. Në fakt ishte ajo që profesor Paul Dobrescu do ta quante mjeshtëria e disa bashkëqytetarëve të tij për të tribluar ligjin. Shumë syresh kishin trukuar veprat e të tjerëve duke kaluar nga një shkelje në tjetrën, se si i thonë një fjale, tek disa vesi del me shpirtin dhe se ndëshkimi ligjor veçse u stimulon imagjinatën për t’ia hedhur vazhdimisht sistemit. Ndryshimi i mendjes është proces kompleks dhe gradual, kërkon vullnet dhe rrethana stimuluese reflektimi mbi aktet dhe bindjet e njeriut. Ai ka efekt më të madh kur kryehet në mënyrë proaktive sesa retroaktive. Çështjet e kriminalitetit politik dhe burokratik kanë treguar se janë të vështira për t’u çrrënjosur. Drejtësia mbetet e nevojshme për t’i larguar të inkriminuarit nga vendi i krimit, por duket e pamjaftueshme për të transformuar mendësitë. Edukimi përmes frikës nuk duket se është rezultativ.
Sikurse do ta thoshte me krenari kreu i një partie/qeverie me ministra, deputetë dhe kryebashkiakë mbas hekurave, në organizatën e tij politike “një bie, mijëra ngrihen”. Një moment sinqeriteti i cili zbulon shkollën e kleptokracisë, shumësinë e dishepujve të saj dhe thellësinë e zhbërjes së karakterit të shërbyesit publik. Duket se kjo luftë duhet të shkojë përtej dënimit të keqbërësve dhe të merret me atmosferën e infektuar prej tyre, të transformojë mendësinë e funksionarëve dhe krijojë mjedisin institucional ku rigjenerohen aktorët dhe mekanizmat për të luftuar abuzimin me detyrën. Nderimi i detyrës publike nuk është vetëm çështje frike nga ndëshkimi, por ndërgjegjeje dhe modeli skalitur në rrjedhën e kohës nga kultura dhe formimi për ndërtimin e një jete të principtë dhe me integritet, duke shlyer me korrektësi besimin e dhënë nga shoqëria.
Pamundësitë e drejtësisë
Të dhënat e vit pas vitshme të Transparency International reflektojnë rolin e dënimeve të pushtetarëve në uljen e perceptimit publik mbi nivelin e korrupsionit, por mbas përmirësimeve relative në vitet e para, vjen më pas stanjacioni dhe në disa raste tendecat për rikthim në gjendjen e mëparshme. Kështu nga krijimi i USKOK-ut (Zyra Antikorrupsion dhe Krim të Organizuar) në 2001, Kroacia, tek ky indeks perceptimi kalon nga 39 pikë në 2001 në 47 pikë në 2024[4], në një shkallëzim nga 0 pikë që do të thotë shumë i korruptuar, deri në 100 pikë që do të thotë shumë i ndershëm. E njëjta situatë shfaqet edhe në Rumani. Nga krijimi i DNA-së (Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion) në 2002, indeksi i perceptimit të korrupsionit lëvizi nga 26 pikë në 2002 në 46 pikë në 2024[5]. Edhe Shqipëria për herë të parë nga krijimi i SPAK-ut në 2019, nga 35 pikë u ngjit në 42 pikë, në 2024[6]. Asnjë nga të treja nuk gjëndet mbi nivelin e mesëm të 50 pikëve dhe të hyjnë tek 31% i vendeve që e kalojnë këtë prag dhe spikasin për ndershmëri, sepse standardet morale në ushtrimin e funksioneve publike lidhen edhe me faktorë të tjerë.
Kur analizon hierarkinë globale të ndershmërisë/korrupsionit nga të dhënat e Transparency International vëren se kryesojnë për ndershmëri të sektorit publik vendet Veri-Atlantike, të ndjekura nga ato të Europës Jugore, shumë më poshtë vendet ballkanike (nën dominimin e dikurshëm bizantin dhe otoman) dhe në fund të hierarkisë botërore, me pandershmëri të skajshme qëndrojnë hapësira ruse, ajo e Amerikës latine si dhe vendet e Afrikës. Një studim, mbi situatën e 40 vendeve, nga Sulitzeanu-Kenan et al., arrin në përfundimin se “ndershmëria e sektorit publik përcaktohet nga kultura shoqërore në nivel vendi dhe kultura e sektorit publik”[7]. Ka studime të tjera, që me gjetjet e tyre e lidhin korrupsionin e ulët me traditën protestante, historinë nën administrimin britanik, ekonominë eksportuese apo dhe kohën e gjatë nën demokraci[8]. Të parit e ndershmërisë së zyrtarit publik si rrjedhojë e normave morale dhe kornizës legale të përcaktuara nga bashkësia dhe në shërbim të saj, e trajtuar nga Hegel-i[9], apo si shërbim me një ndjenjë të zhvilluar të nderit dhe integritetit, bazuar tek korniza legale e funksionimit të institucionit dhe detyrës, sikurse do e trajtonte Weber-i[10] është ende i papërputhshëm me mendësinë dhe traditat e disa shoqërive. Vendet që nuk e kanë pasur mundësinë të kultivojnë masivisht ndër shekuj kulturën e ndershmërisë në qeverisje duhet të përpiqen ta përftojnë rishtazi përmes një hapjeje pa rezerva dhe adoptimit të mendësisë së botës së zhvilluar.
Ndëshkueshmëria gjyqësore duhet të ndërlidhet me edukimin dhe promovimin e modeleve të dinjitarëve të denjë, për t’i kthyer hapësirës publike ndershmërinë. Prokuroritë speciale janë si entitete të ndërhyrjes kirurgjikale, që po e tregojnë dobishmërinë për infeksionet në nivele të larta të lidershipit, dhënien e shembujve dhe prerjen e disa lidhjeve kleptokratike nga krerët tek nivelet e tjera të piramidës shtetërore, por kjo nuk mjafton. 257 personat e hetuar dhe 141 të dërguar për korrupsion në gjykatë në një vit nga SPAK-u shqiptar[11], 683 të pandehur të dërguar në gjykatë në një vit për korrupsion nga DNA-ja rumune[12], 601 veprat penale të korrupsionit të hetuara nga USKOK-u kroat dhe 301 dënimet e dhëna për korrupsion nga gjykatat e tyre[13], janë shumë larg fenomenit të zgjeruar korruptiv që evidentojnë 25% e përdoruesve të shërbimeve publike në Shqipëri, 20% e përdoruesve të shërbimeve publike në Rumani apo 14% e përdoruesve të shërbimeve publike në Kroaci, të cilët deklarojnë se kanë paguar ryshfet në 12 muajt e fundit[14],[15],[16]. Disa qindra të hetuar nuk e kufizojnë dëmin e miliona rasteve korruptive, që privojnë qytetarët nga shërbimet dhe vështirësojnë jetën e tyre. Duhet investuar në shëndetin e organizmit të gjerë shtetëror, tek mendja dhe sjellja e punonjësit dhe dinjitarit publik, për një transformim kulturor, politik dhe administrativ, që parandalon abuzimet me funksionet. Kultivimi i përhershëm i mendjes me principe, akte dhe shembuj të moralshëm mbetet imperativ për një shoqëri të shëndetshme dhe instalimin e ndershmërisë në institucionet publike.
Edukimi me kodin e nderit në shërbim të vendit
Afro 64 vjet më parë, Gjenerali Douglas MacArthur, me rastin e marrjes së një medaljeje nga fundi i karrierës, në Akademinë Ushtarake të West Point-it në New York, do mbante një fjalë përpara kadetëve mbi kodin e nderit të njeriut në shërbim të vendit, një profil që duket i vlefshëm jo vetëm për ushtarakët, por për të gjithë shërbyesit publikë. Sipas tij, në erë e shi, në marshime, në beteja e të përgjakur, “detyra, nderi dhe atdheu” ishin përbërësit që krijuan karakterin e rojtarit të përulur të kombit[17]. Me kohë u vu re se nuk ishte thjesht një fjalim gjenerali drejt fundit të karrierës, por shpirti i një akademie që formësonte lidershipin mbrojtjës e shërbyes të një kombi. Dekada më vonë studiuesit, teksa trajtojnë mësimin e ndershmërisë, marrin si shembull pikërisht Akademinë Ushtarake të West Point-it ku lidershipi kultivohet me kodin e nderit i sintetizuar në pak fjalë si një kod sjelljeje që ‘nuk pranon gënjeshtrën, hilen dhe vjedhjen dhe nuk i toleron ata të cilët e bëjnë’[18]. Jemi të vetëdijshëm do thoshte një drejtor i zhvillimit të lidershipit të kësaj shkolle se kadetët tanë mund të jenë përfshirë në ndonjë formë të lehtë pandershmërie para se të vinin këtu, por ne ndërtojmë gjithçka rreth besimit, të jetuarit çdo ditë nën kodin e nderit, për të mësuar e konsoliduar një sjellje të qëndrueshme ndershmërie ashtu si kalitja fizike e trupit, ku përputhet e thëna me të bërën[19].
Në universitete apo qendra të formimit të lidershipit publik të vendeve të zhvilluara ky proces i mirëmbajtjes dhe kultivimit të vlerave ndodh përgjatë gjithë kohës. Rrënjët e kësaj përkujdesjeje i gjejmë thellë në histori. Tendencës të kahershme të pushtetarit për të luajtur pa rregulla e kufij i është përgjigjur një preokupim konstant i mëndjeve të ndritura për ta vendosur drejtimin në binarët e ligjit dhe moralit. Pushtetari apo çdo funksionar publik duhet të ushtrojë një qeverisje në përputhje me virtytin, i orientuar si qënie fisnike nga e drejta, jo si njeri i vogël nga përfitimi, do të thoshte Confucius tek Analektet[20]; të jetë rojtar i ligjit dhe i interesit publik, mendimtar i dhënë mbas detyrës dhe të vërtetës, i pasur në mençuri, jo në flori dhe pasuri, do të thoshte Platoni tek Republika[21].
Jeta publike duhet ndërtuar çdo ditë me mendjen tek aktet e veprat që të bëjnë krenar, të japin identitet si dinjitar me integritet dhe të evidendojnë si kontribues me impakt pozitiv në shoqëri në funksion të së mirës publike. Kuptohet që çdo shoqëri përkujdeset nga ana e saj të shpërblejë në mënyrë legale e proporcionale, në nivelet më të larta punën dhe përkushtimin e dinjitarëve të saj. Përpjekjet për përfitime të tjera të pandershme janë të papërputhshme me funksionin. Çdo funksionar publik i çdo niveli duhet të jetë i qartë mbi detyrën në shërbim të vendit. Sado të fortë ta ketë njeriu lidhjen tribale apo krahinore, politike apo fetare, detyrimet e karrierës apo urinë të plotësojë pamjaftueshmëritë e mundësive të jetës, detyra publike nuk është çiflig i funksionarit, por pasuri e bashkësisë së qytetarëve që i kanë dhënë mundësinë të shërbejë e të paguhet për përmbushjen me devotshmëri të detyrimeve të postit, për të mirën e përbashkët. Dinjitari publik ka rolin e misionarit, i ngarkuar me besimin dhe përgjegjësinë për të ruajtur dhe promovuar pasurinë dhe interesin e komunitetit, për të qenë i paanshëm në trajtimin e njerëzve dhe interesave private të atyre që trokasin në zyrën e tij. Qytetari nuk duhet të ketë njohje, të forcohet të paguajë nën dorë apo të kërkojë sekserët e dinjitarëve për të marrë atë që i takon nga ligji. Punonjësi publik bën t’i kujtojë përherë vetes se në funksionet publike është shërbyes, jo padron, se e meriton atë vend nëse i shton vlerë të përbashkëtës, pa aneksuar përfitime të pamerituara, se është për të lehtësuar dhe jo sorrollatur ata që kanë nevojë për shërbimet publike, e se duhet të arrijë ekselencën në atë punë si askush tjetër.
Është vetëposhtërim i qënies tënde kur në vend ta përdorësh dijen dhe kultivimin e një jete në funksion të emrit të mirë dhe lartësimit si njeri i dobishëm për shoqërinë, vendos të investohesh në grupe të organizuara në shkelje të normave ligjore dhe kundër njerëzve e komunitetit që me aq mundim mbajnë organizmat shtetërorë. Për këtë duhet një formim e ndërgjegje shtetari, por veçanërisht një reflektim dhe përkujdesje për ruajtjen e vetes, sidomos në ato shoqëri të infektuara masivisht nga viruset e pandershmërisë. Në auditor, në programet e krijuara për formësimin e liderit të principtë, shpesh dëgjohet të thuhet se është bukur t’i dëgjosh koncepte të tilla si ide e histori, por këto nuk funksionojnë në Shqipëri, se me këtë mendje izolohesh dhe nxirresh jashtë loje. Kjo është e vërtetë. Të inkriminuarit nuk pranojnë njerëz që mund t’u evidentojnë përmes prezencës devijacionet e tyre patologjike, nuk pranojnë ata të cilët nuk bëhen pjesë dhe u prishin lojën. Për këtë, krahas edukimit të mendjes në shkolla, njeriut i nevojitet kthimi i principeve në besim dhe veprime në jetën e përditshme, një proces i zgjedhjes së njerëzve, mjedisit dhe sjelljes për nga ndershmëria dhe rezistenca në solidaritet me të ngjashmit e tij. Me kurajo dhe përballje njeriu shpëton veten, familjen dhe vendin, me nënshtrim i humb të gjitha.
Vetëpërmbajtje dhe rezistencë ndaj tjetërsimit si individ dhe funksionar publik
Të qënit për një periudhë të gjatë nën trysninë e pandershmërisë nxit një proces transformimi gradual për t’i gjetur vendin vetes, i cili kthehet në mënyrë jetese dhe identitet të ri. E shohim çdo ditë se si disa njerëz nën presion transformohen, heshtin, përulen, i largohen përpjekjeve për të mbrojtur të drejtën, të ndershmen dhe të vërtetën. Ky është një fenomen i studiuar nga shumë autorë. Ron Carucci, në librin e tij To be Honest vëren se “truri ynë është i ndërtuar për të qenë i ndershëm, por kur i ekspozohemi sjelljes së pandershme përgjatë kohës, standardet tona etike fillojnë të zhbëhen”[22]. Bill George dhe Peter Sims në mënyrë metaforike e shpjegojnë tjetërsimin duke e krahasuar me lëvoret e qepës, ku shtresat e jashtme transformohen për t’iu përshtatur mjedisit rrethues.[23] Garrett et al., vërejnë në studimin e tyre se ‘ato që fillojnë si akte të vogla pandershmërie mund të përshkallëzohen në shkelje më të mëdha’, kjo edhe si pasojë e një mekanizmi biologjik të trurit, i cili gradualisht krijon një tolerancë në rritje ndaj pandershmërisë, ku reagimi i amigdalës (përgjegjëse për kontrollin e sjelljes) ulet gjithnjë e më shumë me përsëritjen e sjelljeve të pandershme dhe shkeljen e kodit moral[24].
Sistemi imunitar prodhon antitrupat që luftojnë antigjenet e depërtuar në organizëm, krijojnë qeliza të kujtesës, që memorizojnë patogjenin dhe janë të gatshme ta luftojnë me shpejtësi nëse rikthehet. Kështu edhe truri sikurse trupi njerëzor ka nevojë të luftojë për shëndetin e tij, të ketë aktiv sistemin mbrojtës, të prodhojë mekanizma dhe memorie historike në mbrojtje të normave morale, të ketë funksionale një barrierë imunitare ndaj ideve të helmuara që i deformojnë mendimet dhe sjelljet. Në këtë kontekst, burim i pashtershëm qëndrueshmërie të vlerave bëhen përvojat e jetës, ato që ushqejnë mendjen, krijojnë modelet dhe orientojnë qëndrimet për të mos rrëshqitur drejt gabimeve. Ato bëhen këshilluesit më të mirë në kohë të vështira kur ambicia apo lakmia mundohen të na vënë përfund e të na tjetërsojnë si njerëz. Jon Huntsman ishte një funksionar i administratës së Richard Nixon-it dhe sikurse kujton edhe ai vetë në librin e tij Winners Never Cheat, ajo që e mbrojti për të mos dalë nga shinat e ndershmërisë dhe rënë pre e presioneve të administratës për të kryer paligjshmëri ishin mësimet e marra nga familja e tij[25]. Herë nga dëshira për pasuri dhe karrierë, herë nga frika e izolimit, dalja nga loja apo përballja me qëndrimet e grupit, njeriu bëhet gjithnjë e më i pazoti të kontrollojë vetveten, derisa lëviz si objekt pa shpirt e mendje thjesht për të mbijetuar, duke humbur identitetin, peshën dhe impaktin pozitiv në shoqëri. Ia vlen të luftosh me kurajo për principet që të kanë ngritur në këmbë, sesa të tërhiqesh një jetë i zvarritur pa reputacion për një karrierë me ujdi kompromentuese dhe disa të holla të marra pa nder. Sikurse Huntsman-i janë të shumtë ata që e refuzojnë pandershmërinë edhe në këtë pjesë të botës ku jetojmë. Në trajnimet e lidershipit pranë Institutit të Lidershipit dhe auditore universitetesh ku kam pasur rastin t’i diskutoj këto sprova me profesionistë dhe liderë të rinj në sektorin publik dhe privat, shumë syresh të vënë përpara rastesh hipotetike përfitimesh të pandershme nga detyrat publike, e refuzonin marrjen e rryshfetit duke e motivuar qëndrimin e tyre të nxitur nga edukata familjare apo besimi fetar, disa të tjerë nga kultura institucionale në sektorin privat ku nderohet klienti dhe të tjerë tek mundësia e shpërblimit në karrierë përmes korrektësisë e disiplinës së respektimit të normave apo si ecje në rrugën e ikonave të sipërmarrjeve apo modeleve krijuara prej mentorëve të tyre[26]. Njeriu virtuoz frymëzohet nga shembujt e kultivuar nga e kaluara, thellohet në atë rrugë dhe gjen udhërrëfyes të tjerë nga historia që ia përforcojnë modelin e hershëm arketipal dhe lufton për ta implementuar e mbrojtur atë në jetën reale. Në këtë pikë vlen të ndalemi edhe tek një shembull tjetër se si mund të ruhet ekuilibri për një kohë të gjatë. Clayton M. Christensen një sipërmarrës dhe mendimtar me rezonancë globale, teksa trajtonte matjen e suksesit në jetë vinte theksin tek krijimi që herët i një kulture që formësohet në familje sikurse dhe institucione, që të bën të përzgjedhësh gjënë e duhur dhe mos e thyesh principin asnjëherë. ‘Kur isha 16 vjeç kujton ai, i kisha bërë një premtim personal Perëndisë se nuk do prekja top të dielave. Rasti e deshi të isha pjesë e ekipit tim të basketbollit të Universitetit të Oxford-it në finalet e kupës dhe ndeshja do luhej ditë të diele. Dilema ishte e madhe për ta thyer rregullin një herë, por në fund vendosa të respektoja premtimin. Duke parë pas, kujton Christensen, ky ishte vendimi më i rëndësishëm i jetës ‘sepse më lehtë i ruan principet 100% të kohës sesa 98% të saj’[27].
Në fakt kur vjen puna tek ndershmëria kërkohet një lloj fanatizmi, qëndrese me disiplinë të hekurt tek vlerat që të kanë ndërtuar si individ. Krijimi i tolerancës ndaj shkeljes së vlerave i hap rrugën përsëritjes së zakonit sa herë t’a do nevoja apo interesi dhe kjo çon drejt një terreni të rrëshqitshëm ku njeriu humb rrugën e projektuar të jetës. Për këtë na duhet tolerancë zero ndaj pandershmërisë, në luftë me veten dhe me ata që abuzojnë. Nuk është e lehtë. Elisabeth Noelle – Neumann thotë se njeriu është më i prirur të pranojë gabimin se sa ndarjen nga të tjerët dhe izolimin[28]. Këtu hyn në lojë kurajua dhe mbështetja, që lidhet me fortësinë e vlerave të ndara me të tjerë. Principet nuk mund të mbrohen në izolim, duke i mbajtur të fshehura në vetvete, por duke i ndarë publikisht me të tjerët. Njerëzit kanë nevojë të të dëgjojnë nga vjen dhe ku dëshiron të shkosh, me çfarë ngjarjesh dhe ndjenjash je formësuar, mbi çfarë principesh je ndërtuar si karakter dhe personalitet unik i kësaj bote. Kështu krijohet një front me të ngjashmit e tu. Uniteti rreth disa vlerave e bindjeve krijon bashkësinë, ruan shëndetin e institucioneve publike dhe ta bën më të lehtë si individ realizimin e një jete të përmbushur me nder. Kjo formë e konturimit të jetës publike e profesionale mban më gjatë se frika nga ndëshkimi, tejkalon instinket bazike të interesave të cilat nuk e përmbushin nevojën e njeriut për identitet, vetëvlerësim dhe një jete me qëllime të larta, që thellë thellë, të gjalla apo të heshtura ekzistojnë tek çdo individ. Këto duhen zgjuar, forcuar, ushtruar në solidaritet me të tjerët dhe kthyer në norma të patjetërsueshme për institucionet. Të përsëritura si rituale të përditshme ato krijojnë memorien e cila luan një rol sa profilaktik dhe orientues në rrugëtimin e jetës publike.
[1] Gillet, K., and agencies, Romania suspends law allowing ‘authors’ to get reduced jail sentences, The Guardian, Wed 3 Feb 2016, https://www.theguardian.com/world/2016/feb/03/romania-suspends-book-law-prisoners-reduced-jail-sentences
[2] Paun, C. Romania to break jailed writers’ club. Corrupt politicians and businessmen write books to reduce jail time, Politico.eu, January 12, 2016, https://www.politico.eu/article/romania-to-break-jailed-writers-club-reduce-sentence-jail-corruption/
[3] McGrath, S. Businessman Turned Prison Author Faces Prosecution, Forbes, May 19, 2016 https://www.forbes.com/sites/stephenmcgrath/2016/05/19/romanian-businessman-turned-prison-author-faces-prosecution/
[4] Indeksi i Perceptimit te Korrupsionit për Kroacinë (2024). Transparency International, https://www.transparency.org/en/countries/croatia
[5] Indeksi i Perceptimit te Korrupsionit për Rumaninë (2024). Transparency International, https://www.transparency.org/en/countries/romania
[6] Indeksi i Perceptimit te Korrupsionit për Shqipërinë (2024). Transparency International, https://www.transparency.org/en/countries/albania
[7] Sulitzeanu-Kenan, R., Tepe, M., & Yair, O. (2021). Public-Sector Honesty and Corruption: Field Evidence from 40 Countries. Journal of Public Administration Research and Theory, 32(2), 310–325. https://doi.org/10.1093/jopart/muab033
[8] Treisman, D., (August 1999), The Causes of Corruption: A Cross-National Study. Conference Paper, The Nobel Symposium in Economics – The Economics of Transition, Stockholm, September 1999, Available at SSRN: https://ssrn.com/abstract=197268
[9] Hegel, G. W. F. (2023). Elements of the Philosophy of Right. Continental Press. §§260, 295
[10] Weber M. (2007). Politika si profesion, shkenca si profesion, tre tipat e pastër të sundimit legjitim. Shtëpia botuese Fan Noli, fq. 26, 149-150
[11] SPAK, Raporti vjetor 2024, fq. 33 https://spak.gov.al/wp-content/uploads/2025/04/Raporti-vjetor-SPAK-2024.pdf
[12] DNA, Raport privind activitatea desfășurată în anul 2024, https://www.dna.ro/obiect2.jsp?id=705
[13] European Commission, 2025 Rule of Law Report (Country Chapter on the rule of law situation in Croatia), https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex:52025SC0911
[14] Indeksi i Perceptimit te Korrupsionit për Shqipërinë (2024). Transparency International, https://www.transparency.org/en/countries/albania
[15] Indeksi i Perceptimit te Korrupsionit për Rumaninë (2024). Transparency International, https://www.transparency.org/en/countries/romania
16 Indeksi i Perceptimit te Korrupsionit për Kroacinë (2024). Transparency International, https://www.transparency.org/en/countries/croatia
[17] General Douglas MacArthur – Sylvanus Thayer Award Address (Duty, Honor, Country). (2019). Americanrhetoric.com. https://www.americanrhetoric.com/speeches/douglasmacarthurthayeraward.html
[18] Carucci, R. A. (2021). To be honest: lead with the power of truth, justice, and purpose. Kogan Page. fq 248. https://digital-library.cloudnet.com.kh/storage/media_files/KX90uy3Dve9s3SS8HYO1LXfUoHFoMb9bJ1CX98vN.pdf
[19] Ibidem, fq 248-249.
[20] Confucius, & Watson, B. (2007). The analects of Confucius. Columbia University Press, Book 2, fq. 26, Book 4, fq. 34.
[21] Plato. The Republic. Translated by Paul Shorey, Harvard University Press (1969). Book VI, 484b-487a, fq. 3-11, Book VII, 519c–521a, fq. 138
[23] George, B., & Sims, P. (Collaborator). (2007). True north: Discover your authentic leadership. Jossey-Bass. fq. 67-83.
[24]Garrett, N., Lazzaro, S. C., Ariely, D., & Sharot, T. (2016). The brain adapts to dishonesty. Nature neuroscience, 19(12), 1727–1732. https://doi.org/10.1038/nn.4426
[25] Huntsman, J. M. (2009). Winners never cheat: even in difficult times. Wharton School Pub.
[26] Erion Piciri. Rigjenerimi i vlerave morale. Syri.net, 26 maj 2017 http://www.syri.net/op-ed/67819/rigjenerimi-i-vlerave-morale/
[27] Christensen, C. (2010). How Will You Measure Your Life? Harvard Business Review.
[28] Elisabeth Noelle – Neumann (1984)The Spiral of Silence Public Opinion – Our Social Skin,The University of Chicago Press, fq. 37-57.


