Kohët e spiunëve, si dështoi FSB-ja të kapte rusin që lufton si komandant për Ukrainën

spot_img
Advertisements

nga Dashnor Kokonozi

Megjithse na injektonin natë e ditë me një narrativë të tillë, pa shumë modesti them se nuk kam besuar asnjëherë në profesionalizmin dhe sukseset e KGB-së dhe të shërbimeve sekrete sovjetiko-ruse, gjatë Luftës së Ftohtë e më tej.
Ajo që kam besuar dhe, që koha e vërtetoi pas hapjes së arkivave, është se rusët kanë përfituar nga fakti se ajo ishte një periudhë kur një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish në Perëndim besonin në idealet e komunizmit. Për më tepër,i shihnin këto ideale të lidhura me Rusinë sovjetike dhe, në mënyrë të tërthortë, punonin për të.
Duke filluar nga çifti Rozenberg, që u dha sovjetikëve sekretet e bombës atomike, deri te agjentët e Kembrixhit (Cambridge Five), të cilët ishin radikalë të majtë dhe u vunë në shërbim të Bashkimit Sovjetik, por kurrë si mercenarë të rekrutuar. U shërbyen sovjetikëve sepse besonin se ata do të ndalonin përhapjen e nazizmit dhe, më vonë, sepse besonin në idealet e një bote të re e të drejtë, pa u shkuar ndërmend se popujt lindorë jetonin nën regjime policore.
Të tjerë, në nivele më të ulëta, u ofruan rusëve informacion jetik, jo vetëm në fushën politike, por edhe nga laboratorët sekretë ushtarakë dhe zhvillimet më të fundit teknologjike etj.
Por kjo ishte dikur.
Nivelin e vërtetë profesional të shërbimeve të sotme sekrete ruse, e tregon qartë një episod i ditëve të fundit: përpjekja e tyre për të kapur Denis Kapucinin, komandant i forcave të “Rusisë së Lirë”, i cili me formacionin e tij ushtarak të përbërë nga të rinj rusë, lufton krah forcave ukrainase, shpesh brenda territorit të Rusisë, kundër trupave pushtuese të Vladimir Putinit.
Vrasja e tij ishte objektivi më i rëndësishëm i shërbimeve sekrete ruse. Ai shihet si armik personal i Putinit. Madje, kohët e fundit rusët kishin vënë edhe një shpërblim të majmë për kokën e tij. Gjysmë milioni dollarë.
Por çfarë ndodhi?
Shërbimet sekrete ukrainase inskenuan vrasjen e tij dhe, jo vetëm që morën shumën e shpërblimit të vënë për kokën e Kapucinit, por me atë rast zbuluan të gjithë rrjetin e spiunëve rusë që ishin angazhuar në këtë operacion.
Sot në Perëndim, Shërbimi Sekret Ukrainas (SBU) krahasohet me Mossadin, gjë për të cilën nuk di ç’të them, edhe pse operacioni i transportit dhe sulmit të aerodromeve ruse nga brenda Rusisë vitin e fundit, ishte impresionues.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte humori dhe talljet e shtypit të huaj ndaj shërbimeve sekrete të V. Putinit, menjëherë pas konferencës së shtypit të Budanovit, i cili nuk i kurseu batutat kur përshëndeti Kapucinin për “rikthimin në jetë”.

Latest articles

Related articles