Helikopterë amerikanë AH-64 dhe CH-47 u panë duke lëvizur mbi Karakas gjatë një fushate bombardimi në orët e para të mëngjesit, ndërsa shpërthime të fuqishme u dëgjuan rreth orës 2:00 në kryeqytetin e Venezuelës dhe në disa zona të tjera të vendit. Dëshmitarë të cituar nga agjencitë ndërkombëtare raportojnë avionë ushtarakë që fluturonin në lartësi të ulët dhe të paktën shtatë shpërthime të forta që tronditën qytetin.
Sipas transmetuesit amerikan CBS, bëhet fjalë për një sulm të ushtrisë amerikane, i urdhëruar nga Presidenti Donald Trump, që kishte në shënjestër “disa vende, përfshirë baza ushtarake”. Qeveria e Venezuelës e konfirmoi sulmin, duke e cilësuar atë si “shumë serioz”, dhe njoftoi se Karakasi dhe disa rajone të tjera të vendit janë goditur. Autoritetet u bënë thirrje të gjitha forcave politike të aktivizojnë planet e mobilizimit, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të vënë në dorë burimet e vendit tonë”.
Sipas raporteve fillestare, objektivat e sulmit përfshijnë bazën ushtarake Fort Tiuna, bazën ajrore La Carlota, si dhe portin e kryeqytetit. Në rrjetet sociale po qarkullojnë imazhe të zjarreve të mëdha dhe reve të dendura të tymit, megjithatë vendndodhja e saktë e disa shpërthimeve ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Banorët e disa lagjeve dolën të alarmuar në rrugë, ndërsa sipas CNN, disa zona të Karakasit mbetën pa energji elektrike.
Presidenti Nicolás Maduro ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar zbatimin e të gjitha planeve kombëtare të mbrojtjes “në kohën dhe rrethanat e duhura,” sipas deklaratës zyrtare të qeverisë. “Venezuela refuzon, dënon dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për të ndëshkuar agresionin ushtarak jashtëzakonisht serioz të kryer nga Qeveria aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj territorit venezuelian”, thuhet në deklaratë.


