Tryeza e festave edhe këtë vit do t’i kushtojë shtrenjtë familjeve shqiptare, pasi çmimet e shportës, por jo vetëm, vijojnë të rriten. Produktet bazë ushqimore, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve mujore, po bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme për një pjesë të madhe të qytetarëve.
Çmimet e larta janë çështja më shqetësuese ekonomike e shqiptarëve sipas rezultateve të Barometrit të Ballkanit 2025, të publikuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Sipas Barometrit, 72 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë rritjen e çmimeve si problemin kryesor, duke e renditur vendin tonë në vendin e dytë në rajon, pas Kosovës, ku për 77% të qytetarëve çmimet janë një problem shqetësues.


