Aktori Mehdi Malkaj kujtoi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, prishjen e Teatrit Kombëtar dhe përpjekjet për ta larguar nga rreshti i atyre që ishin kundër. “Ku s’ka art, ka krim. Viktor Hygo ka thënë, në qoftë se ai që prish një teatër hap një burg të ri. Arti, arti është jeta. Nuk është një gjë tjetër”, tha Malkaj.
I pyetur nëse pati Po ju patët oferta joshëse, ai u përgjigj: “Indirekt po. Njëherë më ka thirrur kryetari i bashkisë. Vajta, do ta respektojmë. Është institucion. U ulëm të dy, na dhanë edhe në një kafe dhe po bënim muhabet. Ai fliste ai flet pa pikë, pa presje… Foli, foli shumë dhe unë e dëgjova me shumë vëmendje. Dhe i thashë: Po kush ju ka thënë juve që unë jam kundër teatrit të ri? Por nuk dua të më prishet historia e Teatrit Kombëtar. Këta thonë që do jetë më i bukuri në Ballkan. Çfarë pastaj, kush guxon në Serbi, ose në Greqi, të prishë një teatër?”, tha ai.
Malkaj tha se më tepër se prishja e teatrit, ishte mënyra se si u shkatërrua godina që e ka befasuar. “Isha aty, nuk më mbajtën lotët, normale, se e pashë të shtrirë. Domethënë unë thashë nuk e shembën, ata e shqyen. Ata kishin një inat të madh kundër teatrit. Me orendi edhe me gjëra brenda. Kishte dhe njerëz brenda që po flinin, ata që ruanin teatrin. Nuk pyeti njëri. Nuk është marrë vesh se si kanë dalë ata njerëz brenda. Të kishte gojë ai teatri s’di se çfarë do thoshte. Dhe janë krenarë për atë që kanë bërë”


