Gjykata i jep SPAK 3 muaj kohë të thellojë hetimin e Bankers, afera e Leonidha Çobo dhe kinezit Xiao

spot_img
Advertisements

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO ka zgjatur afatet e hetimore me 3 muaj për dosjen “Bankers Petroleum”. Sipas organit të akuzës kërkesa bazohet në kryerjen e veprimeve të tjera hetimore shtesë për shkak të kompleksitetit të çështjes, argumentuan Enkeleda Millonai dhe Anita Jella, kërkesë që u miratua nga gjyqtari Erion Çela.

I vetmi që ndodhet në masën arrest në burg për këtë çështje është CEO kinez i kompanisë, Hongping Xiao, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë, janë në masa më të buta si arresti i shtëpisë, për Leonidha Çobo.

Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare nga 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.

Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.

Disa ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e “Bankers Petroleum” për shkak të gjobës 120 milionë euro ende të pashlyer, të vendosur në 2019 pasi kompania naftë-nxjerrëse nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin.

Sipas “Bankers Petroleum”, për një produkt të tillë nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së. Hetimi për Bankers Petroleum Albania, i cili tashmë ka kaluar në dorë të SPAK, ka marrë përmasa edhe më të gjera.

Çështja është zgjeruar duke përfshirë hetime më të thelluara mbi zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore dhe doganore apo strukturat e pushtetit vendor edhe zyrtarë që dyshohet se kanë mbyllur sytë për vite me radhë ndaj abuzimeve me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit humbje të konsiderueshme.

Latest articles

Related articles