Ka përfunduar pa lavdi bashkëpunimi që u nis me bujë mes shoqërisë turke të fluturimeve “Turkish Airlines” dhe “Air Albania”, kompanisë së falimentuar, ku shteti ka 10% të aksioneve.
Pasi njoftoi në nëntor se kishte nxjerrë në shitje kuotën e saj prej 49% që zotëronte në “Air Albania”, operatori turk ka bërë të ditur se do të nisë fluturimet direkte nga Tirana.
Në faqen e “Turkish Airlines” njoftohet se nga 10 janari do të jetë e mundur të prenotohen bileta. Nga kërkimi rezulton në fakt se biletat mund të blihen që nga shkurti me çmime me 51-58 euro në një drejtim.
Përmes Turkish Airlines mund të udhëtohet tranzit nga Stambolli në të gjithë botën, teksa Aeroporti i Stambollit që nga tetori është më i madhi në Europë, duke ia kaluar Heathrow të Londrës.


