Diella, e njohur si krijesa e Ramës, nuk është në gjendje të mirë. Prej tre javësh ajo nuk po ofron shërbimet e kërkuara, pavarësisht numrit të madh të aplikimeve. Bëhet fjalë për platformën “e-Albania”, e cila rezulton e bllokuar për një numër shumë të lartë shërbimesh. Aplikimet për rinovim ose pajisje për herë të parë me pasaportë, regjistrim të biznesit në QKB, lidhje martesash në Gjendjen Civile, apo edhe aplikime të tjera në Kadastër, Tatime etj, nuk po kryhen në kohën e duhur.
Për sistemin digjital të shërbimeve, Rama emëroi në detyrë “Ministren Diella”, madje edhe presidenti i Republikës lëshoi dekret duke autorizuar kreun e qeverisë për “detyrat funksinale” të saj. “Diella është një sistem inteligjence artificiale (IA) i zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). E prezantuar në janar 2025 si një asistente virtuale e integruar në platformën eAlbania, Diella ndihmon qytetarët me shërbimet publike online dhe lëshimin e dokumenteve digjitale”, thuhet në përshkrimin e Diellës. Po çfarë ka ndodhur javët e fundit më të?
Shërbimet janë bllokuar, ndërsa Diella e Ramës nuk ofron më ndihmesë. Çdo aplikim tek “e-Albania” është bërë një mision gati i pamundur, duke detyruar qindra mijëra qytetarë apo edhe biznese që të presin, ndoshta derisa Diella të shërohet.


