Shpërthen Edison Ypi: Shqipëria është udhëhequr nga legenat! vjedhin, bërtasin, ulurasin, bëjnë ligjin

spot_img
Advertisements

Legenat

Që Shqipëria e udhëhequr jo nga burrat por nga legenat një ditë do katandisej për ibret si sot, i pari që e lajmëroi ishte Naimi i madh tek Bagëti e Bujqësi-a, titulli i së cilës flet vet për legenat tanë animalistikë dhe bukolikë të kudondodhur, posaçërisht aty ku Naimi i madh e thot’ cop; “Do tu këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni”. Që domethënë “do tu çel sytë për legenat që mbani mbi kurriz e i lini tu vjedhin”.
Dhe më qartë akoma, diku tjetër pak më tutje ku tallet hapur;
“O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni”.
Pra “O shqiptarë, me legenat që aq kollaj ju vjedhin, më gajasni së qeshuri”.
Poeti idealist idilik dhe patriotik, e dinte se Historia e Shqipërisë ishte prej kaheri plot me hajdutë, llafazanë, dallaverexhinj, xhambazë, pazarxhinj, mburravecë, grindavecë, dembelë, parazitë, hileqarë, intrigantë, prandaj e dha kushtrimin poetik, alarmin patriotik për legenat e kudondodhur.
Profecia naimiane u la pas dore. Nuk iu dha asnjë rëndësi në asnjë kohë, dhe nga askush.
Legenat tanë sot e kësaj dite vazhdojnë të bëjnë fiks si tha Naimi, vjedhin, bërtasin, ulurasin, bëjnë ligjin.
Një tjetër shqiptar vizionar nga të sërës së parë, tha; “Burrat e dheut e thirrshin nanë”.
Pra “Burrat e dheut”, që domethënë burrat e vdekur, se burra dheu s’kemi pasur kurrë, Shqipërinë e thirrshin nanë për ta vjedhur kollaj, se Nana të fal çdo mëkat.
Naimi, Çajupi, Pashko Vasa, nuk janë të vetmit komunikatorë diskretë, mesazhet e koduara të të cilëve i kapin vetëm 1 % e shqiptarëve që lexojnë.
Miliona dashamirë naivë të letërsisë e ngrenë në qiell Pinokun si rrëfimin moralistik të një buratini të cilit i zgjatet hunda sa herë gënjen. Kjo është vetëm njëra nga pasojat që pak lidhje ka me thelbin. Pinoku, në palcë të tij ka një shkak madhor shumë më shqetësues dhe problematik: ankthin e thellë, dëshpërimin cfilitës, të një burri të vetmuar i cili në mungesë të një fëmije prej mishi, gdhend një bir prej druri. Thelbet e thella lexuesi i cekët pak i kupton. Mirë bën. Po t’i kuptonte do luante mendsh.
Prej qindra vitesh Shqipëria vuan prapësitë e legenave hajdutë.
Ende sot zeja më e përhapur ndër shqiptarë është ajo e legenave që ulurasin, pasi ulurasin vjedhin, pasi vjedhin trashen, pasi trashen nuk shkulen deri në varr.
Stërnipat e sotëm të legenit naimian, atij që “blegërin dy a tri herë dhe ikën e merr dhenë”, pra legenit që pasi bën sherr ja mbath në drejtim të paditur, si dhe legenave çajupianë, ata që “nënë hije, lozën kuvëndojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë”, të bëjnë edhe për të qeshur edhe për të qarë, por më tepër për të qarë.

Latest articles

Related articles