Superprokurorja e Lezhës godet grupin e grabitësve të tokave

spot_img
Advertisements

Gjykata e Apelit ka vendosur të ashpërsojë masat e sigurisë për disa prej personave të akuzuar në lidhje me ndërtimet pa leje dhe procesin e legalizimit të tyre në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin. Vendimi vjen pas ankimit të Prokurorisë ndaj masave të dhëna më herët nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Sipas vendimit të Apelit, për ish-drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Gentian Malotaj, si edhe për përgjegjësin dhe ish-përgjegjësin e sektorit të legalizimeve, Artmir Maxhuni dhe Artur Shabaku, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë, për inxhinierët Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, Apeli ka ndryshuar masat e mëparshme nga “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”, në masën më të rëndë “arrest në shtëpi”, për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”.

Për dy ish-drejtuesit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë, Flori Gjini dhe Kol Malaj, është lënë në fuqi masa e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Po ashtu, është konfirmuar masa “arrest në shtëpi” për Pjetër Tuçin, i akuzuar për veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm”.

Ashpërsimi i masave të sigurisë u kërkua nga prokurorja e çështjes, Iva Harka, e cila ankimoi vendimin e Gjykatës së Lezhës për tetë personat nën hetim.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Lezhës, personat e përfshirë dyshohet se kanë qenë të implikuar në raste ndërtimesh pa leje në zonën e Ranës së Hedhur, të cilat më pas janë legalizuar në kundërshtim me ligjin.

Deri në këtë fazë të hetimeve, janë vendosur nën sekuestro preventive katër objekte, ndërsa organi i akuzës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e rasteve të tjera të ngjashme në zonën turistike të Shëngjinit

Latest articles

Related articles