Heqja e imunitetit nuk është sulm politik, por një provë karakteri institucional!

spot_img
Advertisements

nga Av. Tartar Bazaj

Imuniteti parlamentar nuk është një mburojë personale që e vendos individin mbi ligjin. Ai ekziston për të garantuar që funksioni i përfaqësimit publik të kryhet pa ndërhyrje të padrejta, pa presione politike dhe pa pengesa arbitrare, dhe kurrsesi nuk mund të shndërrohet në strehë për të shmangur hetimin. Kur Prokuroria e Posaçme kërkon heqjen e imunitetit, nuk bëhet fjalë për akuzë të parakohshme apo për dënim. Është thjesht një hap procedural, i domosdoshëm, që i lejon drejtësisë të veprojë pa pengesa dhe që teston realisht angazhimin e institucioneve kushtetuese ndaj parimeve të shtetit ligjor.
Kuvendi nuk ka as detyrën, as legjitimitetin për të vlerësuar në detaj provat, për të përcaktuar fajësinë apo për të influencuar rezultatin e hetimit. Ai ka vetëm një detyrë të qartë dhe të paanashkalueshme: Të mos pengojë hetimin!!!!!!!!!! Historia e viteve të fundit, me precedentë si Mark Frroku, Tom Doshi, Armando Prenga, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj dhe Sali Berisha, tregon qartë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, pavarësisht statusit, funksionit apo ndikimit politik. Këto raste nuk janë thjesht ngjarje të izoluara. Ato përfaqësojnë një standard institucional që duhet të mbaj besimin publik dhe të demonstroj se drejtësia nuk ndalet as nga hierarkia dhe as nga arroganca e pushtetit.
Heqja e imunitetit nuk është dënim dhe nuk cënon aspak reputacionin personal nëse subjekti nuk ka çfarë të fshehë dhe nuk ka shpërdoruar paratë e shqiptarëve. Përkundrazi, ajo është provë e transparencës, e përgjegjësisë dhe e karakterit institucional, dhe është mënyra më e qartë për të treguar se drejtësia funksionon mbi standarde të njëjta për të gjithë. Ai që e pranon këtë nuk dobësohet. Por ai që e pengon, humb respektin publik dhe minon legjitimitetin e institucionit që përfaqëson.
Dhe një fakt që nuk mund të injorohet: Nëse qytetarët do të votonin sot drejtpërdrejtë me referendum popullor, për heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët, SPAK do të fitonte bindshëm. Ky është treguesi më i qartë se drejtësia e pavarur dhe këto institucione si SPAK, GjKKO-ja, që privohen nga jeta e tyre për të mbrojtur interesat kombëtare, ka mbështetje të gjerë qytetare.Duhet ta themi qartë dhe PRERË: Opinioni publik e sheh të drejtën aty ku institucionet ngurrojnë, dhe se përgjegjësia nuk është thjeshtë e Parlamentit apo e organeve të hetimit, por e gjithë shoqërisë shqiptare që kërkon transparencë dhe llogaridhënie për paratë e tyre.
Në fund, heqja e imunitetit është një provë e fortë karakteri për individin, për Parlamentin dhe për shtetin ligjor. Është momenti final kur institucionet tregojnë se a janë të aftë të përmbushin misionin e tyre, kur politika vendos t’i japë drejtësisë rrugë të lirë dhe kur qytetari sheh se ligji është i barabartë për të gjithë. Drejtësia nuk kërkon privilegje. Ajo kërkon rrugë të hapur. Dhe ai që e pranon këtë, tregon karakter të fortë dhe përkushtim ndaj shtetit ligjor. Gjithashtu!!! Prokuroria e Posaçme, BKH-ja dhe GJKKO-ja, jam i bindur se kanë përgjegjësi të veçantë për garantimin e drejtësisë dhe transparencës. Kam bindjen absolute se: Veprimet e tyre sigurisht janë të bazuara në ligj dhe rrjedhimisht sigurojnë integritet dhe besim të qytetarëve shqiptar, por edhe mirënjohje për miqtë tanë që kanë investuar për ngritjen e kësaj strukture. 🇦🇱🇺🇸🙏

Latest articles

Related articles