Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar buxhetin e Bashkisë për vitin 2026, me një fond që kap vlerën e afro 400 milionë eurove. Vendimi u mor në një mbledhje të zhvilluar pa praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Dokumenti financiar i miratuar përfshin një sërë masash sociale, mes tyre dhënien e 1500 kredive të buta për çiftet e reja, abone falas për studentët dhe pensionistët, si dhe 1400 bonuse qiraje për familjet e prekura nga tërmeti dhe për përfituesit e ndihmës ekonomike. Gjithashtu, parashikohet një fond prej 9.2 milionë eurosh për rreth 12 mijë nxënës, të cilët për herë të parë do të përfitojnë ushqim në shkolla.
Ndërkohë, gjatë seancës nuk u shqyrtuan dhe nuk u hodhën për votim 29 amendimet e propozuara nga opozita, të cilat kishin një vlerë totale prej rreth 90 milionë eurosh.
Më herët, anëtarët e Këshillit kishin kërkuar që Veliaj të ishte i pranishëm në seancën ku diskutohej buxheti, por kjo kërkesë nuk u miratua nga SPAK. Nga ana e tij, kryebashkiaku kishte paralajmëruar përmes një letre se miratimi i buxhetit pa pjesëmarrjen e tij do të konsiderohej i pavlefshëm


