Mes akuzave për grabitje të tokës që banorët e Nivicës thonë se e kanë përdorur prej dekadash, po i hapet rruga ndërtimit të projektit të shumëdebatuar të Park Sol Energy në Sarandë.
Toka që komuniteti e konsideron si pjesë të traditës së tyre kullosore është marrë nga Bashkia Sarandë përmes një skeme të ndërlikuar administrative, e cila ka ngritur dyshime serioze për mënyrën e menaxhimit të saj.
Park Sol Energy ka nisur zyrtarisht procedurat pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me një projekt për një impiant fotovoltaik 50 MW. Aplikimi është afishuar për komente, duke shënuar hapin e parë drejt ndërtimit të parkut mbi 60 hektarë kullotë që tashmë konsiderohet pronë bashkiake.
Historia e tokës së Heremecit nis në korrik 2023, kur Bashkia Sarandë miratoi një plan 10-vjeçar për menaxhimin e kullotave të zonës, një vendim i paraqitur si teknik, që në atë kohë kaloi pa shumë zhurmë. Vetëm disa muaj më vonë u bë e qartë se ky ishte hapi i parë për të çuar përpara projektin e fotovoltaikëve. Në tetor 2023, bashkia paraqiti për miratim dhënien me qira të 175 hektarëve për ndërtimin e impianteve diellore.
Reagimi i menjëhershëm i banorëve, që pretendonin se toka ishte marrë pa konsultim dhe pa respektuar përdorimin e tyre tradicional, e detyroi bashkinë ta tërhiqte përkohësisht projektvendimin. Por procesi nuk u ndal. Në fillim të vitit 2024 u zhvilluan dy dëgjesa publike, të cilat komuniteti i konsideroi formale dhe pa ndikim real. Ndryshimi i vetëm ishte ulja e sipërfaqes nga 175 në 60 hektarë, tokë që më pas iu dha Park Sol Energy si ofertë fituese.
Kompania ishte ofertuesi i vetëm në ankand dhe fitoi të drejtën e përdorimit për 10 vite me një qira vjetore prej 10.56 milionë lekësh. Pavarësisht protestave dhe pretendimeve të banorëve për pronësinë, procedura u mbyll nga bashkia duke e cilësuar ofertën si të suksesshme.
Banorët e Nivicës thonë se procesi është zhvilluar pa transparencë, me vendime të marra larg syrit të komunitetit, ndërsa dëgjesat publike kanë qenë thjesht formale. Ata ngrenë dyshime të forta edhe mbi mënyrën se si Bashkia Sarandë ka siguruar certifikatën e pronësisë për truallin, teksa në kartelën e pasurisë figuron një sekuestro konservative. Për ta, shpallja e fituesit me një ofertues të vetëm tregon një procedurë të mbyllur, pa konkurrencë reale dhe me elemente të dukshme favorizimi.
Kush qëndron pas Park Sol Energy?
Park Sol Energy është krijuar në shtator 2022 dhe zotërohet nga dy biznesmenë: Paqsor Buzi dhe Agim Xhindoli, secili me 50 për qind të aksioneve. I pari një ish demokrat që kaloi ylberin dhe u ul në prehërin e Edi Ramës. (Jo vetëm kaq. Por Xhindoli ecën si Rama, vishet si Rama, bën gjeste si Rama, qesh si Rama, e modelon mjekrën si Rama. Pretendon se mendon si Rama dhe se është Edi Rama. Të gjitha këto ndoshta nuk dk të mjaftonin, por përflitet se Xhindolli dëgjon fjalimet e Ramës dhe qan.
Buzi është i njohur në sektorin e ndërtimit, me kontrata publike që përllogariten në dhjetëra milionë euro përmes kompanisë GPG. Xhindoli, me aktivitet të gjerë në disa fusha të biznesit, mori vëmendje edhe më të madhe pasi u shfaq i intervistuar në podcastin e kryeministrit.
Tani, kompania e tyre synon të ndërtojë një park të madh fotovoltaik mbi tokën që banorët e Nivicës thonë se është marrë padrejtësisht dhe pa respektuar të drejtat historike të komunitetit.


