“Tretja fillon pikërisht nga goja, kjo është si porta e një shtëpie. Dhëmbët janë mulliri që copëton ushqimin dhe është pështyma ajo që krijon enzimat, këtu fillon tretja jonë e nëse nuk funksionon siç duhet gjithë ky proces, kjo do të ndikojë në stomak. Ngrënia me nxitim dhe përtypja jo e mirë, krijon shumë probleme. Goja është një organ aktiv tretës, më pas është nervi vagos që aktivizon stomakun për të filluar procesin tjetër”, shpjegoi Altin Joka.
Sipas nutricionistit, nëse doni ta ndihmoni procesin e tretjes duhet të përtypni mirë ushqimin si dhe duhet të keni parasysh disa këshilla.
“Nuk duhet të ushqeheni kur keni stres, sepse niveli i kortizolit ndryshon shumë, ky presion që sjell stresi ju bën të mos e shijoni ushqimin. Tretja në këtë rast bëhet shumë e ngadaltë dhe niveli enzimatik nuk përgjigjet siç duhet”, tha Joka.
Nutricionisti këshilloi gjithashtu ngrënien e ushqimit me copëza të vogla, vaktet nuk duhet të jenë shumë të nxehta dhe as shumë të ftohta. Ngrënia duhet të bëhet gradualisht pa marrë shumë ajër, sepse krijon gazra edhe përtypja e ushqimit duhet të jetë e plotë, duke e kthyer atë në një masë në formë pelteje.
Çfarë është një tretje e dobët, shkaku dhe pasojat në organizëm
Nëse nuk funksionon një hallkë e të gjithë procesit të tretjes fillojnë problemet në organizëm.
“Stacioni i parë i këtij procesi është goja, kur përtypja është e dobët kjo sjell ndjesinë e rëndesës. Stacioni i dytë është stomaku, kur fillon tretja e proteinave, ushqimi mund të rrijë gjatë dhe kjo ndodh kur nuk keni sasinë e duhur të enzimave. Stacioni i tretë është Pankreasi, aty grimcohet ushqimi. Stacioni i katërt është zorra që bën edhe përthithjen. Nëse keni çekulibrim, atëherë fillon intoleranca, inflamacioni ose kapsllëku”.
Acidi në stomak, ja disa shenja që keni mungesë të tij
Djegia në stomak është alarm dhe baza është Ezofagu, refluksi nuk vjen gjithmonë nga aciditeti, ushqimi që konsumoni është shumë i rëndësishëm. Kur tretja në stomak është e ngadaltë rritet fryrja dhe shtohen gazrat, kjo krijon shtytje, refluks, pavarësisht sesi e keni aciditetin e stomakut.
“Trupi flet me simptoma. Refluksi nuk është problem kimik, ai ndodh kur ka presion, kur ka fermentim të ushqimit ose kur keni nivele të larta të kortizolit që vjen nga stresi. Qëndrimi gjatë i ushqimit në stomak krijon shumë vështirësi. Niveli i anti-acideve ul irritimin në ezofag. Djegia nuk është provë e aciditetit të lartë”, theksoi Joka.
Bëni dy prova në shtëpi për të kuptuar aciditetin e stomakut
Pasi jeni ushqyer, 1 orë e 30 minuta më vonë, pini biokarbonat pra ujë me sodë buke dhe nëse keni gromsira kjo tregon se keni nivel të lartë aciditeti. Ndërsa nëse pini lëng limoni 1 orë e 30 minuta pasi keni konsumuar ushqim dhe kjo ju lehtëson, atëherë keni nivel të ulët aciditeti.
Si ta përmirësoni procesin e tretjes
Tretja është proces nervor dhe hormonal, kur keni stres tretja çalon. Nëse nuk iu tërheq ushqimi që po hani, kjo gjithashtu e dëmton tretjen. Ngrënia pa vetëdije është problem ose nëse hani duke ecur, ju dëmtoni të gjithë ritmin e procesit të tretjes. Sasia e ushqimit është një tjetër faktor që ndikon. Nëse jeni midis moshës 50-60 vjeç, ju duhet të konsumoni dy herë në ditë ushqim. Nëse jeni mbi 70 vjeç, sasia e ushqimit duhet të reduktohet, pasi procesi i tretjes është më i ngadaltë.
Si mund ta rregulloni tretjen? Ndiqni disa këshilla praktike dhe kombinime që mund t’i bëni në shtëpi
Hani pak dhe ngadalë. Mos hani vakte të rënda me yndyrna. Mos konsumoni ushqim shumë të ngrohtë dhe shumë të ftohtë. Ndihmojeni organizmin pas vakteve, përdorni çaj kamomili, përziejeni me çaj menteje ose konsumoni fara finoku duke i bërë edhe çaj. Papaja dhe ananasi janë shumë të mira për tretjen ose merrni suplemente enzime kur keni probleme të theksuara të tretjes, por përkohësisht. Uthulla e mollës pas një vakti i bën shumë mirë organizmit, në darkë uthulla përdoret para vaktit. Nutricionisti Joka nuk këshillon ujë të vakët sidomos në mëngjes.
“Pijeni ujin në temperaturë ambjenti në 10-14 gradë. Uji i ftohtë rigjeneron më shumë qelizat tona, konsumoni aloe vera, përziejeni me ujë ose ujë me mjaltë, ndihmon shumë mirë për tretjen”, këshilloi Joka.
Nutricionisti shtoi gjithashtu se shumë i mirë është edhe konsumimi i kefirit me fruta dhe tërshërë si dhe kanella e kombinuar me mjaltin. Por nëse keni probleme me Helikobakterin, me mikrobiomën apo mungesë enzimash ose Candida, atëherë duhet një plan tjetër me regjim të personalizuar nga natyropati ose nutricionisti.


