Ky është viti i tretë që studentët e mjekësisë i bashkon një nismë e veçantë “Krishtlindje në pediatri”. Kjo nismë e cila po zgjerohet vit pas viti, synon t’iu sjellë sadopak gëzim fëmijëve të shtruar në pediatri, të cilët këto festa do ti kalojnë jashtë shtëpisë.
Këto organizime të veçanta lënë gjurmë te fëmijët, dhe këtë e tregon edhe historia e nisjes së “Krishtlindje në Pediatri”.
“Për ne është një nismë shumë e veçantë dhe fatmirësisht kemi patur angazhim nga studentët e mjekësisë, por edhe nga studentë të universiteteve të tjera apo gjimnazeve, në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Disa vite më parë, im vëlla ka qenë i shtruar në pavionin e pediatrisë, dhe studentët e asaj kohe organizuan diçka të tillë”, tha Orkido Sopiku, nismëtar i “Krishtlindje në Pediatri”.
Nisma është zgjeruar ndjeshëm, duke përfshirë jo vetëm studentët e mjekësisë, por edhe qytetarë të thjeshtë.
“Ajo është përhapur përtej universitetit, pasi shumë qytetarë të thjeshtë janë bashkuar, si dhe nxënës të shkollave 9-vjeçare e gjimnaze”, shtoi ai.
Studentët vijojnë të mirëpresin dhuruesit në këndin e krijuar prej tyre, në hollin e Universitetit të Mjekësisë.
“Çdo person që ka dëshirë të dhurojë mund t’i bashkohet kësaj nisme për t’u bërë sa më të ngrohta Krishtlindjet për fëmijët që nuk kanë mundësi t’i kalojnë në shtëpitë e tyre. Një ndihmë e madhe do të ishte edhe një bashkëpunim apo donacion, sado i vogël, nga bizneset e lodrave kryesisht. Gjithashtu, kemi një llogari bankare për ata që nuk mund të vijnë fizikisht, të cilën mund ta gjeni në faqen tonë në Instagram “Krishtlindje_në_pediatri””, deklaroi Olsa Basha, nismëtare e “Krishtlindje në Pediatri”.
Dhuratat për fëmijët e pediatrisë do të mblidhen deri në datën 16 Dhjetor, për t’ua dhuruar katër ditë më pas.


