Dorëheqja e qeverisë bullgare pas një vale protestash të udhëhequra nga të rinjtë është një leksion i ashpër dhe i qartë për të gjithë Ballkanin; sidomos për Shqipërinë. Ajo që ndodhi në Sofje nuk ishte një krizë e zakonshme politike apo një konflikt klasik mes opozitës dhe qeverisë. Ishte një revoltë e një brezi të ri, që nuk pranon më të jetojë në një sistem të kalbur nga korrupsioni dhe hipokrizia politike. Ishte një ngritje morale kundër një elite të konsumuar, që jeton në flluskën e saj, larg realitetit të qytetarëve.
Ajo që e bën të jashtëzakonshëm precedentin bullgar është fakti se për herë të parë në dekada, forca lëvizëse e protestës nuk ishte një parti, një sindikatë apo një oligark i zhgënjyer, por Gjenerata Z, të rinjtë që kanë lindur dhe janë rritur në tranzicion, por nuk pranojnë më ta trashëgojnë atë.
Janë këta të rinj që përdorin teknologjinë, mediat sociale dhe organizimin horizontal për të sfiduar jo vetëm qeveritë, por gjithë sistemin e vjetër të pushtetit.
Ata nuk besojnë më te premtimet elektorale dhe nuk mjaftohen me “rrotacionin” e fytyrave politike. Ata kërkojnë një ndryshim rrënjësor, një politikë që funksionon për qytetarët, jo për klientelën e pushtetit.
Në Shqipëri, këto sinjale duhen marrë me seriozitet maksimal. Kemi të njëjtin model tranzicioni të pafund, të njëjtën klasë politike që është ricikluar për dekada, të njëjtën përçmim ndaj të rinjve që kërkojnë të dëgjohen. Diferenca është se në Bullgari brezi i ri e theu heshtjen dhe e ndali farsën. Në Shqipëri, për momentin, të rinjtë emigrojnë. Por kjo nuk është zgjidhje afatgjatë. Sa më shumë që shtyhet ndryshimi i vërtetë, aq më i dhimbshëm dhe i paparashikueshëm do të jetë momenti i shpërthimit.
Elita politike shqiptare duhet të kuptojë një gjë të thjeshtë: më mirë të hapen vetë ndaj brezit të ri dhe të ndryshojnë nga brenda, sesa të përballen me një stuhi që do t’i përmbysë nga jashtë. Sepse Gjenerata Z nuk është e qetë, nuk është e verbër dhe nuk është e shurdhët. Ajo po e sheh dhe po e përjeton padrejtësinë. Dhe kur të zgjedhë të reagojë, asgjë nuk do ta ndalë. As propagandat, as servilizmi i mediave, as manipulimi i partive.
Precedenti bullgar është një paralajmërim: Shqipëria duhet të reflektojë!


