Zyrtarë të Departamentit të Shtetit vlerësuan sot punën e kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani, duke e cilësuar atë një pikë kyçe të bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjatë një vizite në SPAK, zv.drejtori për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Lyn Debevoise, shprehu mirënjohjen e Uashingtonit për angazhimin e Dumanit.
Në deklaratën e ambasadës amerikane thuhet:
“Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë. Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij.”
Deklarata vjen një ditë para zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme.


