Në tryezën e forumit me temë “Mbrojtja e drejtësisë dhe lufta ndaj korrupsionit”, kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, deklaroi se që nga momenti kur drejtësia shqiptare nisi të vendosë përpara ligjit persona të konsideruar prej vitesh si “të paprekshëm”, kanë filluar edhe sulmet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që, sipas tij, kanë rikthyer besimin e qytetarëve te drejtësia dhe parimi i barazisë para ligjit.
Shehaj e cilësoi historik faktin që persona me pushtet po përballen me drejtësinë, duke theksuar se sulmi i paprecedentë ndaj institucioneve të drejtësisë duhet të shërbejë si një alarm për reagim shoqëror.
“Arsyeja pse jemi mbledhur sot është sepse, ndërkohë që shoqëria shqiptare sheh dritë në fund të tunelit, po përballemi me një sulm të paprecedentë ndaj drejtësisë dhe me një reagim të partive opozitare që nuk ka arritur të ndezë një reagim të gjerë qytetar. Dhe natyrshëm pyesim veten se çfarë po ndodh, a synohet që kjo shpresë t’u vidhet shqiptarëve?”, u shpreh Shehaj.
Ai vuri në dukje se, ndonëse në diskursin politik flitet shpesh se bashkimi i opozitës do të sillte rrëzimin e qeverisë, problemi kryesor mbetet mungesa e besimit të shoqërisë ndaj politikës.
“Nuk besoj se mjafton thjesht bashkimi i opozitës. Nevojitet një bashkim përtej partive politike. Unë mendoj se qytetarët do të dalin në shesh për të mbrojtur drejtësinë në momentin që do të kenë besim tek politika. Besueshmëria është thelbësore; nuk mjafton vetëm të jesh opozitar. Dhe nuk duhet t’u bëjmë gjyqin atyre qytetarëve që sot nuk dalin në shesh”, deklaroi Shehaj.
Duke iu rikthyer zhvillimeve në sistemin e drejtësisë, kreu i partisë “Mundësia” theksoi se drejtësia ka nisur të sulmohet pikërisht nga ata që, sipas tij, po preken për herë të parë nga veprimet e saj.
“Për herë të parë njerëz me pushtet po dalin para drejtësisë dhe kjo është historike. Ata mendonin se ishin të paprekshëm. Edhe unë vetë pata dyshime nëse reforma në drejtësi do të funksiononte dhe nëse do të vinte dita që të paprekshmit do të përballeshin me ligjin. Sot kjo ka ndodhur dhe kam bindjen se ky është një ndryshim i madh për shoqërinë shqiptare”, u shpreh ai.
Shehaj nënvizoi se ndonëse ekziston një mbështetje e gjerë shoqërore për drejtësinë, kjo mbështetje nuk po përkthehet në përkrahje për alternativat politike.
“Shohim një mbështetje të jashtëzakonshme të shoqërisë për drejtësinë, por jo për alternativat politike. Prandaj them se nuk mjafton bashkimi formal i opozitës. Duhet një bashkim më i gjerë, që të tejkalojë kufijtë partiakë. Qytetarët do të dalin në shesh për drejtësinë atëherë kur politika të rifitojë besimin e tyre. Pa besueshmëri, çdo thirrje mbetet e dobët. Dhe përsëris, nuk duhet t’i gjykojmë ata që sot nuk reagojnë”, përfundoi Shehaj


